Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar do të vendosë sot mbi fatin e deputetit Sali Berisha.

Pas miratimit të autorizimit nga Kuvendi për heqjen e lirisë së Sali Berishës, SPAK-u iu drejtua gjykatës më datë 22 dhjetor duke i kërkuar ashpërsimin e masës së sigurisë për ishkryeministrin, i cili po hetohet nën dyshimet për korrupsion në privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani”.

Në kërkesën drejtuar GJKKO, Prokuroria e Posaçme kërkon masën “arrest shtëpie”. Ligji i jep 5 ditë gjykatës për të marrë në shqyrtimin kërkesën e SPAK dhe gjyqtarja Irena Gjoka pritet që në seancën gjyqësore të së martës të thërrasë për të dëgjuar palët, nga njëra anë prokurorët e SPAK dhe nga ana tjetër personin nën hetim Sali Berisha dhe avokatët e tij.

Duke respektuar ditën e Krishtlindjes, seanca në GJKKO zhvillohet sot, pasi Kuvendi i hapi rrugën SPAK për arrestimin e deputetit Sali Berisha, si masë shtrënguese ndaj tij, pasi më herët, ish-kryeministri refuzoi të zbatonte vendimin e gjykatës së posaçme, që kishte caktuar masën e detyrimit për paraqitje dhe ndalim për të dalë jashtë vendit. Në seancën plenare të 21 dhjetorit, Kuvendi mes tensioneve votoi dhënien e autorizimit për SPAK.

SPAK iu drejtua Gjykatës së Posaçme, pasi Sali Berisha e kundërshtoi vendimin e parë të detyrim paraqitjes, duke e konsideruar si antikushtetues. Në opinion juridik dhe kushtetues të Berishës, masa fillestare në ngarkim të tij nuk mund të zbatohej, pasi SPAK nuk kishte marrë më parë autorizim nga Kuvend.

Por SPAK i qëndroi mendimit se masa për detyrim paraqitje ishte e një karakteri që konsiderohen kufizim dhe jo heqje lirie. Ndaj në orën 10:00 Gjykata e Posaçme do të vendosë për fatin e ish-kryeministrit Berisha, nëse do të ashpërsojë masën e sigurimit pas kërkesë së SPAK. Seanca do të drejtohet nga gjyqtarja Irena Gjoka. Kërkesa u dorëzua në gjykatë nga Prokuroria e Posaçme të premten, një ditë pasi Kuvendi i dha autorizimin. SPAK kërkon caktimin e masës “arrest në shtëpi” pasi ish-kryeministri nuk ka respektuar vendimin e gjykatës të dhënë në 20 tetor, duke i caktuar masën “detyrim paraqitje” dhe ndalim për të dalë jashtë vendit.

Berisha nuk e ka njohur vendimin e gjykatës që të paraqitej të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji duke argumentuar se vendimi është antikushtetues, pasi nuk ishte ndjekur rruga parlamentare. Nuk dihet nëse Berisha do të marrë pjesë vetë në Gjykatën e Posaçme apo do të përfaqësohet nga avokatët e tij. Gjyqtarja Gjoka mund të vendosë të martën pasi të dëgjojë argumentet e palëve ose të dërgojë në “arrest në shtëpi” Berishën, ose të lërë në fuqi masën e mëparshme.

Berisha akuzohet për korrupsion pasiv për çështjen e privatizimit të ish-klubit sportiv “Partizani”. Të mërkurën, në datë 27, në orën 9 në dhomë këshillimi në Gjykatën e Lartë do të vendoset fati i vulës së PD-së. Togat e zeza do të shqyrtojnë mbi bazë dokumentesh se kush ka të drejtë të mbajë logon e vulës grupi i Bashës, ose grupi i drejtuar nga Sali Berisha. Po ashtu, Berisha ka paralajmëruar një protestë të martën para Gjykatës së Lartë pikërisht për këtë çështje. Të dyja grupimet pretendojnë se ka të drejtë për të drejtuar opozitën shqiptare.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re