Këshilli i Mandatave mblidhet këtë të martë në orën 16:00, për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për arrestimin e ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj.

Teksa jemi pak minuta larg nisjes së mbledhjes prokurorët e SPAK, Altin Dumani dhe Enkeleda Millonai kanë mbërritur tanimë, e po ashtu  edhe dy avokatët mbrojtës të ish-ministrit Ahmetaj i cili mungon, Ardian Visha dhe Henrik Ligori.

Pritet që avokatët mbrojtës të Ahmetajt të kërkojnë shtyerjen e mbledhjes ditën e sotme për shkak të dosjes voluminoze.

Për shkak të sekretit hetimor në hetime,  mbledhja e Këshillit do mbahet me dyer të mbyllura me kërkesë të SPAK.

ABC News gjithashtu e ka siguruar dosjen e SPAK ndaj Ahmetaj por nuk mund ta publikojë atë për t’iu bindur urdhrit të Prokurorisë, për sa kohë hetimet përbëjnë sekret hetimor.

SPAK ka nisur hetime për Ahmetajn prej shtatorit të kaluar në lidhje me ndërtimin dhe dhënien me koncension të inceneratorit të Elbasanit. Prokuroria e posaçme depozitoi të premten kërkesën në Kuvend për të marrë miratimin për arrestimin e Ahmetaj dhe kontrollin e tij personal si dhe të banesës për 3 akuza, atë të Korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë. Kërkesa mbërriti të hënën në Kuvend, ndërsa të martën në orën 16:00, Lindita Nikolla urdhëroi mbledhjen e Këshillit të Mandateve për të vendosur nëse do të japë autorizimin për heqjen e mandate të Ahmetajt.

Më pas prokurori do i kërkojë gjykatës së posaçme caktimin e masës së sigurisë për Ahmetajn dhe miratimin për kontroll personal dhe atë të banesës. Në një njoftim zyrtar prokuroria e posaçme tha se Arben Ahmetaj akuzohet për 3 vepra penale, mosdeklarim të pasurisë dhe pastrim parash si dhe korrupsion të kryer në 6 episode të ndryshme.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re