Prokuroria e Posaçme Anti-korrupsion (SPAK) ka dorëzuar të martën në Kuvendin e Shqipërisë kërkesën për dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha.

Kërkesa parashikon zëvendësimin e masës së sigurimit nga “detyrim paraqitje”, që ishte deri tani, në “arrestim/ heqjen e lirisë”, për të cilën i duhet autorizimi i Kuvendit.

Shkresa e firmosur nga Altin Dumani pritet të merret në shqyrtim nga Këshilli i Mandateve dhe të kalojë për votim në seancë plenare.

Berisha u mor i pandehur për veprën penale të korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë nga Prokuroria e Posaçme, një akuzë që mbart dënim nga 4 deri në 12 vjet burg, në procesin e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.

Por ai refuzoi të zbatojë masën e dhënë nga gjykata për “detyrim paraqitje” duke e cilësuar atë anti-kushtetues dhe të nxitur politikisht.

Bashkë me të u akuzua dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, i cili u arrestua dhe më pas u la në arrest shtëpie me akuzën e pastrimit të parave në lidhje me ndërtimin e një kompleksi pallatesh në Tiranë në truallin e ish-kompleksit sportiv. Kjo vepër penale parashikon dënime nga 5 deri në 15 vjet.

Deputeti 79-vjeçar drejton “de facto” opozitën, pas një beteje politike brenda llojit për rimarrjen e kontrollit të Partisë Demokratike, në të cilën ishte themelues dhe kryetar i parë i saj në vitin 1991.

Dy vite më parë, Berisha u përball me atë që dukej se do të ishte fundi i karrierës së tij, pasi u shpall “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe u përjashtua nga grupi parlamentar i PD-së nga pasardhësi i tij, Lulzim Basha. Por pas një fushate politike brenda partisë, Berisha arriti të mbajë nën kontroll pjesën më të madhe të anëtarësisë dhe grupit parlamentar.

Vendimmarrja e Kuvendit për arrestimin e tij do të merret në një situatë të tensionuar politike pasi prej disa javësh opozita e drejtuar nga ish-kryeministri po proteston duke tentuar bllokimin e seancave plenare me tymuese dhe karrige./BIRN

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re