Gëzim Çela, i konsideruar si baroni i drogës, emërtim që u ka vënë prej gati dy dekadash pret në qelitë e paraburgimit të Kosovës urdhrin e ekstradimit në vendin tonë.

Ndonëse kurbinasi ishte i dënuar me vendim të formës së prerë, sërish për trafik droge, ndonëse disa herë u shënjestrua nga policia baza e tij në zonën e Fushë-Kuqes, kohëve të fundit, një operacion i Policisë italiane e vuri në fokus atë që konsiderohej një nga trafikantët më të mëdhenj të heroinës në vendin tonë.

Megjithatë, ai vijonte të qëndronte në zonën e tij të influencës, deri mbrëmjen kur dy shtetas ukrainas duke mbërritur në bazën e Gëzim Çelës, i vunë flakën mjetit detar me të cilin dyshohej se po sillnin kokainë dhe do të merrnin kanabis për të kaluar në tokën italiane. Policia italiane e pikasi në dalje të ujërave të veta mjetin e ukrainasve dhe i ndoqi deri në Malin e Zi, atje ku pretendohej se do të bëhej edhe ndalesa përfundimtare. Por nuk ndodhi ashtu.

Mjeti vijoi lundrimin në drejtim të ujërave tona territoriale dhe mori kthesë pikërisht në zonën e Lagunës së Patokut, duke dekonspiruar edhe aktivitetin që policia pretendon se zhvillohej në restorantin luksoz në pronësi të familjes së Gëzim Çelës. Policia jonë hyri në operacion, por Çela nuk u kap dot e bashkë me të as dy persona të tjerë.

KËRKESA PËR EKSTRADIM

Prokuroria e Posaçme i ka dërguar dokumentacionin e plotë Ministrisë së Drejtësisë, me qëllim ekstradimin e të ashtuquajturit “baroni i drogës”, Gëzim Çelës. Në SPAK ka një procedim ndaj tij për trafikim të lëndëve narkotike. Bashkë më Çelën në procedim është edhe shefi i komisariatit Kurbin, Dritan Metaj për të cilin dyshohet se ka ndihmuar “baronin e drogës” në dhënie të informacioneve dhe lehtësim të lëvizjeve. Prokuroria e Posaçme, SPAK i ka përcjellë Ministrisë së Drejtësisë dosjen e plotë për të mundësuar që ish-polici i kthyer në trafikant të përballet me akuzat.

Gjykata e Ferizajt ka lënë 55-vjeçarin në arrest me burg 40-ditor. Ky është afati që autoritetet shqiptare kanë për t’u kaluar homologëve në Kosovë dokumentacionin e plotë për ekstradimin. Gëzim Çela, në kërkim prej vitesh u arrestua në një fshat të Ferizajt, ndërsa fshihej në banesën e një shtetasi nga Kosova. 55-vjeçari u ndalua në shoqërinë e dy vajzave nga Shqipëria. Në banesën ku ai qëndronte u zbulua edhe një automatik. Gëzim Çela ishte i shpallur në kërkim prej vitit 2006 për trafikim lëndësh narkotike. Por pavarësisht akuzave, ai vijoi aktivitetin deri në finalizimin e operacionit “Flakë në Det”. Në tetor, SPAK goditi një tentativë të grupit të 55-vjecarit për të trafikuar një sasi droge përmes një veliere. Në pranga në këtë operacion përfundoi edhe shefi i policisë Kurbin, Dritan Metaj. Ai akuzohet si personi që i ka lehtësuar punë dhe ka lëvizur me makinën e tij Gëzim Çela.

Tashmë Prokuroria e Posaçme është në pritje të marrjes së një përgjigje nga gjykata e Kosovës, me qëllim vijim e procedurës së ekstradimit. Gëzim Çela në fakt kërkohej edhe nga Italia, por ende nuk është mësuar ndonjë interesim i drejtësisë italiane për ekstradimin e tij atje. Ndërkohë që gjykata që i dha masën e arrestit Çelës, iu ka lënë 40 ditë kohë autoriteteve tona të Prokurorisë së posaçme dhe të Ministrisë së Drejtësisë të paraqesin dokumentacionin për të mundësuar marrjen e ‘baronit’ të drogës dhe për ta hetuar dhe gjykuar nga ana e SPAK!

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re