Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka njoftuar ditën e sotme sekuestrimin e pasurive të shtetasit Redjan Rraja, i cili sipas organit të akuzës është përfshirë në atentatit ndaj prokurorit, Arjan Ndoja.

Në vitin 2019, Redjan Rraja u arrestuar teksa ishte duke u larguar në drejtim të Malit te Zi. Policia dhe prokuroria kanë kërkuar arrestimin për shkak se kanë zbuluar gjurmët e ADN-së së tij në makinën që u gjet e braktisur në zonën e Shkafanës dhe që dyshohet se mund të ketë lidhje me atentatin e Shkozetit, ku u plagos prokurori Arjan Ndoja dhe ku mbeti i vrarë shoferi i tij.

“Provat e sekuestruara po i nënshtrohen një analize të hollësishme nga grupi hetimor dhe një pjesë e tyre u dërguan në Laboratorin Shkencor për ekzaminim të mëtejshëm. Nga tërësia e provave të sekuestruara dhe bazuar në dyshimet e arsyeshme, u bë ekzekutimi i urdhër- ndalimit të lëshuar nga Prokurori i Krimeve të Rënda për shtetasin R. Rr, 34 vjeç, lindur e banues në fshatin Nikël, Fushë- Krujë, i dyshuar si një nga autorët e mundshëm të plagosjes me armë të prokurorit dhe dy shtetasve të tjerë”, u tha në njoftimin e policisë.

Rraja rezulton të jetë kushëriri i deputetit të Partisë Socialiste në qarkun e Durrësit, Rrahman Rraja.

NJOFTIMI I SPAK

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar bazuar në parashikimet e Ligjit nr.10192 datë 03.12.2009 “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar dhe Trafikimit Nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”, ka regjistruar në datën 22.01.2021 procedimin pasuror nr. 2, në ngarkim të pasurive të shtetasit Redjan Rraja dhe familjarëve të tij.

Në funksion të hetimeve të këtij procedimi pasuror janë kryer shumë veprime hetimore dhe në përfundim, Prokuroria e Posaçme i është drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kërkesën për vendosjen e sekuestros sipas parashikimeve të Ligjit nr.10192 datë 03.12.2009. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 22 datë 23.10.2021 ka vendosur sekuestrimin e pasurive si më poshtë vijon:

Pasuria e sekuestruar:

Pasuria e llojit apartament, (Njësi Tregtare) me sip. 76 m2, e ndodhur në Tiranë.
Pasuria e llojit Njësi Tregtare, me sip. 30 m2, e ndodhur në Tiranë.
Pasuria e llojit Njësi Tregtare, me sip. 127.5 m2, e ndodhur në Tiranë.
Pasuria e llojit garazh, me sip. 18.09 m2, e ndodhur në Tiranë.
Pasuria e llojit garazh, me sip. 18.09 m2, e ndodhur në Tiranë.
2 (dy) Automjete të tipit “Audi – A8”.
Automjet i markës “Bentley” tipi Continental.
Një orë dore tip “Roleks”.
Shuma prej 2750 Euro.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re