Reforma në Drejtësi ka qenë kryefjalë të paktën që prej vitit 2017. Një vit më pas nisi procesi vetting. U ngritën Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Por, vettingu mori goditjen e parë. Prokuroria Speciale ndryshe SPAK njoftoi dje nisjen e procedimin penal me numër 56, të viti 2020 për veprën penale ″Falsifikimi i dokumenteve″, të parashikuar nga neni 186.

Nga veprimet hetimore të kryera lidhur me këtë proçedim penal është provuar se shtetasi Luan Daci, me funksion Gjyqtar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, në aplikimin e kryer prej tij në datën 03.02.2017 për t’u emëruar në funksionin e mësipërm, ka paraqitur rrethana të rreme, duke mos deklaruar faktin se ndaj tij është marrë më parë masa disiplinore ″largim nga puna″.

Shtetasi Luan Daci në vitet 1994-1997 ka ushtruar funksionin e Gjyqtarit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, pas propozimit të Ministrit të Drejtësisë, me vendimin Nr.6, datë 24.12.1997, në nenin 1 të tij, ka vendosur: ″Z.Luan Daci, largohet nga detyra e gjyqtarit për shkelje të ligjës dhe paaftësi në detyrë″.

Në bazë të nenit 6, paragrafi (1), gërma (dh) të ligjit Nr.84/2016 ″Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë″, si dhe nenit 150, paragrafi (3) të ligjit Nr.96/2016 ″Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë″, i cili ka qënë në fuqi në momentin e aplikimit, ekzistenca e masës disiplinore ″largim nga puna″ përbënte shkak ligjor që shtetasi Luan Daci të mos plotësonte kriteret formale për të aplikuar në pozicionin vakant Gjyqtar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Ky ka qenë njoftimi i SPAK, por tashmë lind pyetja. A kanë vlerë ligjore vendimet e kolegjit të KPA, ku anëtar ka qenë edhe Daci dhe së dyti a duhet të jetë funksional KPA, pas vendimit ndaj shtetasit Luan Daci për caktimin e masës së sigurimit ndaluese ″pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik?

Ka shumë prokurorë, apo gjyqtarë të përjashtuar nga sistemi i Drejtësisë edhe me firmën e Dacit. Një prej tyre është Besnik Muçi, në një kohë që ai ishte dekretuar  nga presidenti Meta si anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Këtë detyrë ai e kreu vetëm për pak javë.  Kolegji i Posaçëm i Apelimit ndërkohë kishte filluar procesin e vetingut dhe për një mos deklarim të pasurisë, që sipas tiji referohej ende periudhës së regjimit komunist, shkarkohet nga detyra si prokuror.

Sot jemi para një fakti tjetër të ri. Anëtari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit,  pra organi që i vinte vulën vettingut të prokurorëve, Luan Daci, sot është pezulluar nga detyra nga SPAK.

Sipas mendimit të tij, shkarkimi i Dacit e bën “të gjithë vendimmarrjen e KPA-së të pavlefshme, sepse praktikisht trupat gjyqësore nuk janë caktuar me ligj, diçka që shkon kundra konventës të së drejtës së Njeriut, dhe nenit 42 të Kushtetutës”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re