VALENTINA MADANI/ Mbledhja e Këshillit të Mandatave filloi dje me masa të ashpra sigurie, për shkak të protestës së organizuar nga ish-kryeministri Sali Berisha para hyrjes së Kuvendit.

Godina u rrethua me punonjës të policisë, ndërsa brenda korridoreve kishte prani të shtuar të Gardës dhe policisë. Megjithatë, seanca vijoi normalisht dhe mbrojtësit e lideri demokrat Sali Berisha, avokatët Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi parashtruan një kërkesë për pezullimin e shqyrtimit deri në shpalljen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Berisha nuk pranoi të merrte pjesë në mbledhje, ndërsa u përfaqësua nga dy avokatët e tij, Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi.

Gjokutaj deklaroi se 30 deputetë të opozitës kishin bërë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për të interpretuar nenin 73 pika 2. Mbrojtja e Berishës pretendon se masat e marra nga Gjykata e Posaçme për “detyrim paraqitjeje” dhe ndalimi për t’u larguar nga Shqipëria janë “heqje lirie” dhe këmbëngul që për to duhej të ishte bërë kërkesë në Kuvend.

Por kjo kërkesë u rrëzua nga Këshilli i Mandateve, që vuri në dukje se ajo ishte e pabazuar në ligj. Në krahun tjetër, prokurorët e SPAK, Enkeleda Millonai dhe Arben Kraja parashtruan kërkesën duke këmbëngulur se masat e marra deri në atë moment nuk kërkonin autorizim të Kuvendit.

Në përgjigje të pyetjeve të deputetëve dhe avokatëve të Berishës, Kraja theksoi disa herë se kërkesa për arrestim bazohej vetëm në faktin që Berisha kishte refuzuar të zbatonte vendimet e gjykatës deri në atë moment.

“Ne themi që Berisha nuk zbaton vendimet e dy Gjykatave të Posaçme, është shtetas i Shqipërisë dhe si i tillë duhet të jetë i barabartë para ligjit”, tha Kraja.

SPAK ka kërkuar ndryshimin e masës nga “detyrim paraqitje” në “arrest shtëpie”, por prokurori i çështjes, Arben Kraja, bëri me dije se kërkesa e tyre ka qenë edhe për masën e sigurisë “arrest me burg”. Ai shtoi se do të jetë gjykata, ajo që do të japë vendimin e fundit për fatin e ish-kryeministrit.

“Kemi kërkuar leje për të dyja, arrest shtëpie dhe arrest me burg, por në bazë të akteve të dosjes do i kërkojmë gjykatës njërën prej tyre. Se çfarë do të bëjë gjykata, është në dorën e saj”, u shpreh Kraja.

Ai këmbënguli që kërkesa e SPAK nuk kishte prapavijë politike dhe në përgjigje të pyetjes së deputetit të opozitës, Enkelejd Alibeaj, tha se SPAK ishte përballur me akuza për njëanshmëri politike edhe në rastin e arrestimeve të përfaqësuesve të shumicës, por se qëndrimet nuk ishin politike.

MBROJTJA

Mbrojtja e Sali Berishës u përfshi disa herë në polemika me kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla, ndërsa Gjokutaj e akuzoi Këshillin e Mandateve për paragjykim. Gjokutaj pretendoi se SPAK nuk kishte kryer hetime të plota dhe kishte fshehur prova, që vinin në dukje rolin e kryeministrit Edi Rama si ish-kryetar i Bashkisë së Tiranës në procesin e tjetërsimit të destinacionit të truallit të klubit “Partizani”.

Avokatët po ashtu pretenduan se nuk kishte arsye pse të ndryshohej masa ndaj Berishës. Genc Gjokutaj u shpreh se ndaj Sali Berishës, i cili është deputet i Kuvendit të Shqipërisë, po veprohet si me një spaçator. Ai shtoi se avokatja kryesisht e caktuar për Sali Berishën nga gjyqtarja e ngjarjes, një material me 15 mijë faqe e përfundon për 20 minuta dhe më pas nuk e di se për çfarë po hetohet lideri i opozitës.

“Qëndrimi i deputetit Sali Berisha është ndaj këtyre vendimeve të marra nga një gjyqtare e shkarkuar drejtpërdrejt nga ai. Nga një gjyqtare që nuk i drejtohet Kuvendit për të marrë autorizim. Nga një gjyqtare që rrëzon çdo kërkesë, nga një gjyqtare e cila cakton avokatë kryesisht dhe kur i shikon në ‘Facebook’ se çfarë përfaqësojnë, i përjashton dhe në fund përfundon me një avokate që 15 mijë faqe material i përfundon për 20 minuta.

Kjo është mbrojtja efektive. Imagjinojeni me zotin Berisha, deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe veprohet si me një spaçator dhe marrët një avokate e cila nuk ka idenë. Unë kam bërë një provë një natë në media, ku e pyeta jeni njohur? Po, jam njohur me materialet. Po për çfarë hetohet Berisha? Nuk e dinte”, tha Gjokutaj.

Prokurori Kraja u shpreh se pyetja e avokatit s’ka lidhje me objektin që po diskutohet, duke shtuar se kanë dërguar tjetër kërkesë në Kuvend.

“Pyetja s’ka lidhje me objektin që po diskutohet këtu. Ne kemi sjellë kërkesë krejt tjetër. Për këtë mund të bëjmë debat në gjykatën respektive. Nuk kam përgjigje për këtë”, tha ai.

Ndër të tjera, avokati Gjokutaj u shpreh: “E dini kush i ka firmosur këto akte? Këta duan të të fusin në burg pa të përmendur emrin. Kjo është gënjeshtër”.

Avokati Sokol Mëngjesi vuri në dukje në fjalën e tij se Berisha nuk ishte njoftuar rregullisht për masat shtrënguese, nuk kishte tentuar të largohej nga vendi dhe se masa e marrë ndaj tij deri në këtë moment ishte e paligjshme. Të 6 deputetët e pranishëm në sallë, Lindita Nikolla, Emonela Felaj, Klotilda Bushka, Arben Pëllumbi, Bledi Çuçi të PS-së dhe Enkelejd Alibeaj nga segmenti i Partisë Demokratike të drejtuar nga Basha arsyetuan unanimisht se kërkesa duhej të miratohej, sa kohë që nuk kishte të dhëna se ajo ishte politike.

Alibeaj tha në fjalën e tij se ky ishte qëndrimi i vjetër dhe konsekuent i Partisë Demokratike, ndërsa parashtroi se në vitin 2012, PD-ja kishte kërkuar heqjen totale të imunitetit. Gjatë seancës së pyetjeve, Alibeaj u tha avokatëve të Berishës nëse ky i fundit kishte marrë nën shqyrtim qëndrimin moral të heqjes dorë nga mandati deri në përfundim të procesit penal ndaj tij.

Të njëjtin qëndrim mbajtën edhe deputetët e shumicës, që u fokusuan kryesisht në barazinë para ligjit, ndërsa vunë në dukje se Berisha kishte refuzuar të zbatonte vendimin e Gjykatës së Posaçme. Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Bledi Çuçi, vuri në dukje qëndrimin e Komisionit të Venecias, sipas të cilit mbrojtja për deputetët jepej vetëm në raste shumë të rralla. Ai po ashtu tha se çdo kërkesë e SPAK do të miratohej.

“Çdo kërkesë e SPAK, pavarësisht nëse deputeti është i majtë, i djathtë apo i asnjë krahu politik, do të gjejë mbështetjen tonë”, tha Çuçi.

 

Prokuroria e Posaçme e akuzon Berishën se ndërmori ndryshime ligjore dhe vendime të Këshillit të Ministrave për të favorizuar dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezin, në marrjen e pronës që i hapi rrugën ndërtimit të një kompleksi prej 17 pallatesh në zonën ku më parë ndodhej klubi sportiv “Partizani”. Berisha i ka mohuar akuzat dhe e ka cilësuar hetimin kundër tij si të orkestruar politikisht nga kryeministri Edi Rama.

RELACIONI

Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve miratoi dje me 6 vota pro dhe asnjë kundër që kërkesa e Prokurorisë së Posaçme t’i kalojë Parlamentit për heqjen e mandatit të deputetit Sali Berisha.

Deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj, votoi hapur pro pranimit të kërkesës së SPAK-ut. Këshilli caktoi Klotilda Bushkën si relatore, e cila do të përgatisë raportin që do t’i dorëzohet Kuvendit në seancën e 21 dhjetorit.

PROTESTA

Vetëm pak metra larg godinës së kryesisë së Kuvendit, ku vendosej fati i imunitetit të tij, Sali Berisha shpalli fillimin e betejës pa kthim në sheshe me qytetarët.

“Sot kërkohet nga ne një kthesë! Duhet të dalim në shesh me betimin se jetën e japim, votën nuk e japim”, deklaroi lideri demokrat. Të parin paralajmërim Berisha ia dha Edi Ramës, të cilin e akuzon si armikun e demokracisë dhe votës së lirë.

“Pak javë më parë të paralajmërova se mosbindja në Parlament ishte fillimi. Do shohësh ti, gjej vrimë ku të futesh! Edi Rama, mos provo më se votën nuk ta falim kurrë. Ke marrë fund”, theksoi Berisha.

Ai refuzon ta lidhë nisjen e mosbindjes civile me kërkesën e prokurorisë për arrestimin e tij, por thotë se ashtu si në vitin ‘98 kur iu hoq imuniteti, prokurorë me urdhër politik janë vënë sërish në shërbim të shtetit monist.

“Asokohe njëlloj si tani, një prokuror politik, xhelat i Sigurimit të Shtetit, akuzoi Sali Berishën për krime kundër njerëzimit dhe Parlamenti i hoqi imunitetin. Tani në Parlament, dy laro, mercenarë të Edi Ramës, kanë ardhur pasi kanë vendosur në kundërshtim me Kushtetutën privimin e lirisë ndaj meje, vijnë të rëndojnë masat ndaj meje. Kjo është dëshmia më flagrante e një shteti monist”, theksoi Berisha.

Me tone të ashpra, ai iu drejtua drejtpërdrejtë prokurorëve dhe gjyqtarëve të SPAK-ut.

“Hiqni dorë mjeranë, do bëheni përgjegjës për çdo shkelje të ligjit dhe do trajtoheni si falanga të krimit të Ramës…”, u shpreh ai.

Kreu demokrat paralajmëroi se do të shtrihen jo vetëm përpara Parlamentit, por edhe Gjykatës së Lartë, e cila pritët të vendosë për logon dhe vulën e Partisë demokratike në fund të muajit.

“Më 27 dhjetor, çdo demokrat përpara Gjykatës së Lartë, ku Edi Rama ka porositur ekzekutimin e identitetit tonë”, – u shpreh Berisha. Mosbindja civile e opozitës, cila zgjati për afro 80 minuta u zhvillua e qetë dhe pas ndezjes së disa tymueseve dhe hedhjes së vezëve në godinën e Kryesisë, protestuesit u shpërndanë paqësisht.

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re