SPAK ka zhvilluar një operacion të gjerë kundër trafikut ndërkombëtar të drogës, duke goditur një rrjet të dyshuar kriminal në tre qytete: Tiranë, Elbasan dhe Durrës. Pas një hetimi disa-mujor, janë firmosur 15 masa sigurie ndaj personave të përfshirë në këtë aktivitet.
Sipas burimeve hetimore, rrjeti i zbuluar dyshohet se kishte linja të konsoliduara furnizimi të kokainës, me origjinë nga Amerika Latine, e cila transportohej drejt porteve europiane dhe më pas shpërndahej në disa vende të BE-së, duke përdorur Shqipërinë si një pikë kyçe tranziti dhe koordinimi.
Identifikimi i të dyshuarve u bë i mundur falë përgjimeve të komunikimeve të tyre në platformën e koduar Sky ECC, e përdorur gjerësisht nga organizatat kriminale për të shmangur zbulimin. Hetimet kanë treguar se bëhej fjalë për një strukturë të organizuar ndërkombëtare, e aftë të menaxhonte sasi të mëdha kokaine nga kontinenti amerikan deri në tregjet europiane.
Nga 15 masat e sigurimit, katër prej tyre u janë komunikuar brenda ambienteve të burgut, ku ndodhen aktualisht për çështje të tjera penale.
Operacioni, i udhëhequr nga prokurori i posaçëm Vladimir Mara, ka çuar deri tani në arrestimin e tre personave, ndërsa disa të tjerë janë ende në kërkim. Në mesin e të përfshirëve rezultojnë emra të njohur për drejtësinë, si Franc Çopja, i arrestuar në Belgjikë, dhe Ervis Çela, i ndaluar një muaj më parë me akuzën e vrasjes.
SPAK ka paralajmëruar se hetimet do të zgjerohen edhe më tej, me qëllim identifikimin e të gjithë hallkave të këtij rrjeti dhe sekuestrimin e pasurive të përfituara nga aktiviteti kriminal. Ky operacion tregon edhe një herë intensifikimin e bashkëpunimit mes autoriteteve shqiptare dhe partnereve ndërkombëtare në luftën kundër trafikut të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës.



