Gazment Bardhi i është përgjigjur deklaratave të kryeministrit Rama, i cili sot tha se biznesi i ndërtimit kryen evazion fiskal. Me anë të një postimi në platformën X, Bardhi tha se deklaratat e Ramës janë të vlefshme për SPAK-un.

Sipas Bardhit ka qenë vetëm Rama që ka lejuar ndërtuesit të kryejnë evazion fiskal.

Gazment Bardhi u shpreh se “është koha që SPAK ta marrë seriozisht hetimin e kryeministrit për shpërdorim detyre përmes lejimit me mosveprim të evazionit fiskal”.

“Edi Rama ka bërë sot një deklarim të vlefshëm për SPAK-un. Kryeministri e di që në biznesin e ndërtimit ka evazion fiskal dhe jo vetëm e ka lejuar të ndodhë, por ka bashkëpunuar për rritjen e evazionit duke u dhënë leje të reja ndërtuesve që fshehin të ardhurat.

Kush fsheh 5 mijë, 6 mijë, 7 mijë, 8 mijë euro m2 shitje? Nuk ka asnjë dyshim që ndërtuesit e tij të preferuar, të cilët, disa i ka shpallur investitorë strategjikë për resorte në bregdet, disa i pajis me leje për kulla. Në të gjitha rastet është firma e Edi Ramës.

Është koha që SPAK ta marrë seriozisht hetimin e kryeministrit për shpërdorim detyre përmes lejimit me mosveprim të evazionit fiskal”, shkruan Bardhi.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re