SPAK cakton emrat e prokurorëve që do drejtojnë sektorët e Prokurorisë së Posaçme. Gjatë një mbledhjeje të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme, u diskutuan probleme që lidhen me nevojën për rritjet të efektivitetit të ushtrimit të ndjkjes penale në këtë prokurori, si dhe probleme organizative.

Duke vlerësuar faktin që specializimi për kategori të caktuara veprash penale është element thelbësor ndikues në rritjen e efikasitetit të ushtrimit të ndjekjes penale në përgjithësi u morën disa vendime.

Nisur nga fakti se objekti i punës së Prokurorisë së Posaçme përfshin dy drejtime kryesore: ushtrimi i ndjekjes penale kundër krimit të organizuar dhe ushtrimi i ndjekjes penale kundër korrupsionit; Drejtuesi i Prokurorise së Posaçme, Arben Kraja me Urdhërin nr. 87, datë 01.06.2020 ka vendosur që në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar prokurorët e ushtrojnë ndjekjen penale në dy seksione:

Seksioni Kundër Krimit të Organizuar, në të cilin bëjnë pjesë prokurorët Altin Dumani, Vladimir Mara, Behar Dibra, Ened Nakuçi, Doloreza Musabelliu dhe Elida Kaçkini.

Ndërsa në seksioni Kundër Korrupsionit bëjnë pjesë Edvin Kondili, Klodjan Braho, Enkeleda Millonai, Dritan Prençi dhe Sotir Kllapi.

Nisur nga nevoja për të rritur efektivitetin e punës dhe ushtrimit të ndjekjes penale në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke vlerësuar rezultatet në punë, aftësitë organizative, vlerësimin e përformancës etike dhe profesionale, si dhe vjetërsinë në punë si prokuror Drejtuesi i Prokurorise së Posaçme, me Urdhërin nr. 87, datë 01.06.2020 ka vendosur që Altin Dumani të emërohet Zëvëndës Drejtues i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe njëkohësisht Drejtues i Seksionit Kundër Krimit të Organizuar.

Ndërsa prokurori Edvin Kondili emërohet Drejtues i Seksionit Kundër Korrupsionit, në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Gjithashtu u miratua nga të gjithë prokurorët dhe logo e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re