Një vajzë 20-muajshe ka vdekur pasi u godit nga breshëri gjatë një stuhie të egër në qytetin verilindor spanjoll La Bisbal d’Emporda, njoftuan sot zyrtarët.

Kryebashkiakja e qytetit Carme Vall deklaroi për Televizionin Kombëtar Spanjoll se foshnja ishte me prindërit e saj kur u godit nga breshëri të martën. Ajo vdiq të mërkurën herët në spital.

Më shumë se 20 persona u trajtuan për lëndime pas stuhisë. Kryebashkiakja tha se shumë makina dhe ndërtesa janë dëmtuar nga breshëri. Ajo tha se disa nga kokrrat e breshërit kishin një diametër deri në 11 centimetra.

Pamjet video në mediat spanjolle treguan kokrrat e breshërit që kërcejnë si topa golfi mbi automjetet në rrugë.

Stuhi të fuqishme janë parashikuar në lindje të Spanjës pas valës së të nxehtit gjatë verës si në tokë ashtu edhe në Detin Mesdhe.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re