Ish-deputeti i PS-së Spartak Braho ka folur lidhur me protestën e 8 janarit të thirrur nga Sali Berisha para selisë blu, dhe paralajmërimin e tij se mund të vritej deputeti i PD Enkelejd Alibeaj.

Braho thotë se kishte informacione nga shërbime inteligjente. Ndër të tjera ai rrëfen se ka pasur garë telefonatash nga deputetë që e pyesnin nëse ishin apo jo mes atyre në shënjestër.

“Disa shërbime të inteligjencës shqiptare dhe të huaja paralajmëruan dhe parashikuan se çfarë do ndodhte, gjë që u vërtetua. Shërbimet e parashikuan që në rrethin e atyre që do goditeshin ishte Alibeaj. Nuk ishte deklaratë për scoop. Alarmi ishte real. Ata po të kishin hyrë do kishin bërë namin.

Nuk do ndaleshin me një apo disa të vrarë. Ka pasur një garë telefonatash që më kanë pyetur: Ore po unë isha?! Kanë qenë apo nuk kanë qenë në listën për t’u vrarë apo sakatuar. Ishin deputet të interesuar të PD-së. Ka njerëz aty që edhe u pëlqen viktimizimi”, tha Braho në emisionin “Frontline” në “News 24”.

Braho tha se objektivi i protestës ishte shumë i egër, ku mbështetësit e Berishën do merrnin Bashën në krahë dhe do ta nxirrnin jashtë.

“Nuk ka objekt Prokuroria për këtë çështje. Nëse do kishte ngjarje të rëndë do isha i detyruar. Nëse më thërret Prokuroria patjetër do shkoj, por çfarë do them! Protesta e 8 janarit ka qenë me një objektiv shumë të egër, do hyjmë dhe do ta marrim Bashën në krah ta nxjerrim përjashtë.

Nëse do kishte zgjatur edhe pak edhe mund të kishte ndodhur penetrimi i grupit të Sali Berishës atje. Policia ka ndërhyrë me profesionalizëm në momentin e duhur në kohën e duhur”, tha Braho.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re