Situata që po ndodh në Ukrainë, ka shqetësuar së tepërmi Europën, edhe për situatat delikate që mund të pasojë në vendet e Ballkanit, qoftë në Kosovë, qoftë në Bosnje Hercegovinë.

Fax News është zhvendosur në Mitrovicë, ku gazetarja Afrovita Hysaj ka biseduar me Skënder Sadikun, përfaqësues i shqiptarëve në Komunën (Bashkinë) e Mitrovicës së Veriut (pala Serbe). Ai thotë se Serbia po luan me dy porta, pro dhe kundër Rusisë.

Sipas tij shqiptarët janë më të mbrojtur për shkak të Kforit në territor, por nuk përjashton mundësinë që Serbia të synojë apo përfitojë nga kjo situatë. “Populli është i trembur thotë” ai.

“Jemi në pritje, sikur gjithë Kosova, për fat të mirë këtu ka një prani të madhe të KFOR. Luftën e kam përjetuar edhe vetë, nuk ka luftë të mirë, qofsh fitimtar qoftë jo, të dy kanë humbje të mëdha.

Sebia rri në dy ulëse, në njërën anë me Perëndimin, dhe nga ana tjetër nuk e dënojnë sulmin rus.

Çfarëdo ane që të pozicionohet Serbia do të pasojë me reagimin e BE. Jemi nën ombrellën e KFOR”, tha Sadiku.

Drejtues i radio televizionit të Mitrovicës Nexhmedin Spahiu sa i takon situatës thotë se “një popull që gjithmon është rrahur nuk ka më frikë”.

Serbia thotë ai nuk do guxoj të nisë një veprim ushtarak ndaj Kosovës, edhe pse merr zemër nga Rusia. E vetmja gjë që Kosova sot rrezikon është marrëdhënia dy palësh serbi Kosovë dhe njohja e shtetit të Kosovës nga Serbia.

“Me vendosjen e institucioneve ka një dozë normaliteti, nuk rrezikohemi direkt, shteti serb nuk mund të ndërmarrë ndonjë veprim ushtarak. Nëse Serbia do të niste një luftë, NATO do të reagonte, nëse nuk i kundërpërgjigjet Rusisë, me Serbinë do ta bëjë.

Çmimin që duhej ta paguante Kosova për njohjen nga Serbia, është rritur, për shkak të asaj që po ndodh në Ukrainë, e vështirëson situatën”, tha Nexhmendin Spahiu, drejtor i televizionit të Mitrovicës.

Për gazetarin e kohës së luftës, Izedin Krasniqi, Serbia do dojë të përfitojë nga situata.

“Ekzistenca e forcave të KFOR na jep një siguri. Njerëzit këtu janë të kujdesshëm, pasi Mitrovica ka qenë një vatër e krizës”, thotë Krasniqi.

Shqiptarët e Mitrovicës që banojnë në jug por edhe në veri shprehen të dyzuar mbi frikën e ndonjë sulmi. “Nuk kemi frikë sepse ndiejmë mbrojtjen e Shba por kemi edhe frikë të përsëritjes së viteve të vështira të luftës”, shprehen mes të tjerave ata.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re