Në vitin 2014, kryeministri Edi Rama shpalli atë që e quajti Program Kombëtar për Rilindjen Urbane. Investimet nisën edhe në rrethe. Plani rregullues ishte thuajse i njëjtë. Sheshe të rikonstruktuara dhe të shtruara me pllaka, rehabilitim fasadash pallatesh në qendër, pjesë e së cilave ishin edhe pikturat dhe bojërat shumëngyrëshe. Projekti qeveritar “Rilindja Urbane” preku edhe qytetin e varfër të Cërrikut.

“Rilindja Urbane e ndali hapin edhe në qytetin e Cërrikut. Rikualifikimi urban i sheshit të qytetit, kthimi i tij në shëtitore, rehabilitimi i fasadave, një sistem i ri ndriçimi dhe gjelbërimi transformuan pamjen e zymtë të këtij qyteti të varfër. Por lind pyetja si e shohin këtë investim qytetarët Cerrikas , a u ka shërbyer qytetarëve dhe a u kryen punimet në cilësinë e duhur? Këto përgjigje do të përpiqemi ti marrim prej tyre”, raportoi gazetarja e Fax Neës, Entela Duka.

Rikualifikimi urban i qendrës së qytetit të Cërrikut, vetëm në lotin e parë kushtoi 1.126.691 € .Ky projekt I financuar nëpërmjet vendimit të Komitetit të Zhvillimit të Rajoneve u konkretizua në qershor të vitit 2016, nëpërmjet programit Infrastruktura vendore dhe rajonale. Asokohe Cerriku drejtohej nga kryebashkiaku I LSI Altin Toska. Duke qënë se PS ishte në koalicion me LSI nuk ishte e vështirë të siguronte paratë, ndonëse shifra nuk duket aq modeste. Mbi 1 milion eurot u investuan në beton, pllaka, fasada pallatesh në qendër, shatërvan.,në vendosjen e sahatit, ndonëse banorët thonë se ai nuk ka punuar asnjëherë, por kanë edhe nakesa të tjera.

Por teksa kthehemi pas përtej asaj që Rilindja e trombeton me të madhe si transformim I qyteteve, qytetarët pohojnë të kundërtën. Të paktën qytetarët Cerrikas, thonë se lulishtja e vjetër ishte më e përshtatshme për ta pasi kishte më tepër hapësira të gjelbërta. Sot ata ankohen për temperaturat dhe dritën e fortë që tejçon betoni, ndërsa në dimër thonë se pllakat bëhen të rrëshkitshme. Kritik të investimit të qeverisë pohojnë se asgjë nuk ndryshoi për qytetin dhe vetë ata.

“Këtu është vapë në shesh nuk qëndrohet, mos kishte pllaka mbajnë shumë vapë. Mos kishte shumë pllaka sepse jep shumë temperatura. Kurse në dimër rëshqet sepse nuk jan pllaka të tilla. Ekonomia tonë ka mbaruar fare, vemi të marrim ilaceët dhe i lemë përgjysmë nuk kemi lekë/ Cërriku po ngordh”, thotë një qytetare.

“Ne kishim lulishte të mirë, këta e bënë kështu. Keq në dimër keq në verë. Sheshi ishte më mirë sic ka qenë me hapësira të gjelbërta, këta i prenë pemët, i shkulën”, thotë qytetari.

Përtej kritikave të qytetarëve, të cilët pohojnë se betoni u ka marrë oksigjenin , inxhinjeri I bashkisë Fatmir Uruçi në pozicionin e përfaqësuesit të pushtetit lokal mbron tezën se projekti është hartuar nga specialist të fushës dhe se I plotëson të gjitha standardet e kërkuara. Sipas tij “Rilindja Urbane” e ka transferuar për mirë imazhin e qytetit të naftëtarëve.

Rilindja Urbane, ndonëse në shumë raste ishte I vlefshëm për të rinovuar qytete apo qyteza të lëna pas dore prej dekadash, në shumë raste të tjera u krye në një farë modeli investimi për efekt vizual pa ndonjë përfitim praktik. Duket se kjo e fundit I takon edhe Cërrikut. Përtej ndërhyrjes dhe zbukurimit të qëndrës sot në vitin 2021 sheshet para pallateve dhe rrugët dytësore në brendësi të qytetit ofrojnë tjetër pamje.

Pavarësisht se shumë qytete kishin të nevojshme investime për sistemim, nga pikëpamja e eficencës ekonomike, nuk ishte pozitive përqendrimi i projekteve vetëm në bojatisje e rregullime të jashtme. Një fakt të tillë e pohojnë edhe vetë qytetarët Cerrikas. Një qytetare kujdeset ta krahasojë qytetin me një mollë të shëndetshme nga jashtë, por të krimbur nga brenda.

“Tani është dimër rrëshqet kur bie shi, atë orën e bëri kot fare. Pensionisti nuk e shikon dot orën që nuk punon. Këtu është papunësi e madhe, lozim domino letra, me ato lek të na kishin futur në punë ne të tjerve”, thostë i riu.

“100 herë ishte më mirë më përpara. Këtu nuk keni ku rri. Me fjalë ata thonë është zbukuruar. Asnjë nuk na pyeti, ata mashtrojnë”, thotë i moshuari.

Prishja e kolacionit PS-LSI do të reflektohej edhe në rrethe. Ky ishte momenti që bashkitë e Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk do të merrnin më para. Që nga ajo kohë shumë projekte në Cërrik kanë mbetur në mes, ndërsa pushteti lokal i sotmi bën me dije se i ka gati projektet, vecse pret alookimin e fondeve nga qeveria. Loti i dytë i punimeve thotë Z. Uruçi kërkon 1 milion euro, sikundër i pari, e më pas vëmendja do të spostohet drejt lagjeve, ku problematikat me të cilat haset komuniteti janë të dukshme.

Disa nga investimet e Rilindjes Urbane konsiderohen të rëndësishme dhe efikase, ndërsa shumë të tjera janë kritikuar për dëmtim të trashëgimisë kulturore e historike, për punë me cilësi të dobët apo për shkelje ligjore në fushën e prokurimeve publike. Në Cërrik investimet me cilësi të dobët janë ato në akset nacionale, të cilat kanë nisur të degradojnë. Gati të gjitha punët publike janë kryer nga e njëjta firmë “Hysa shpk” administratorët e të cilës përfunduan në pranga në shkurt 2019 për rrugën Elbasan – Gjinar dhe u liruan më pas nga gjykata. Procesi ndaj tyre nuk ka përfunduar ende. As investimet në bashkinë Cerrik të cilat kërkojnë ende shumë para nga taksat tona nuk jane mbyllur.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re