Në aktgjykimin e saj të parë, Gjykata Speciale për Krimet e Luftës në Kosovë dënoi me burg dy liderë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për zbulimin e emrave të qindra dëshmitarëve të mbrojtur të krimeve të luftës, raporton Reuters.

Gjyqtarët e gjykatës speciale me bazë në Hagë vendosën që Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, të cilët udhëhoqën shoqatën e veteranëve të UÇK-së, u dhanë mediave dhe politikanëve kosovarë dokumente konfidenciale gjyqësore në shtator 2020 me emrat dhe detajet personale të dëshmitarëve okularë në hetimet e krimeve të luftës.

“Ky vendim i tregon qartë këto akte ashtu siç janë: kriminale, jopatriotike”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith.

Specialja e themeluar në vitin 2015

Ai shtoi se të pandehurit në mënyrë përçmuese kanë fyer ata që zgjodhën të bashkëpunojnë me gjykatën dhe se ata “kanë folur në atë mënyrë që të mund t’i bindin ata që të mos japin më shumë prova në Prokurorinë Speciale dhe të mos dëshmojnë në të ardhmen”.

 Të dy të pandehurit, të cilët ndodhen në paraburgim që nga arrestimi i tyre në shtator 2020, ishin të pranishëm në sallën e gjyqit.

Gjykata Speciale për Krimet e Luftës në Kosovë është themeluar në vitin 2015 për të gjykuar luftëtarët e UÇK-së sipas ligjit të Kosovës.

Gjyqtarët i shpallën fajtorë të dy të pandehurit për pengim të drejtësisë dhe i dënuan me 4.5 vjet burg dhe 100 euro gjobë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re