Një anije me vela e Marinës Meksikane është përplasur në Urën ikonike të Bruklinit, duke plagosur të paktën 19 persona dhe duke vrarë dy të tjerë.

Një anije me vela e Marinës Meksikane e ndezur me drita dhe një flamur gjigant meksikan u përplas në Urën ikonike të Bruklinit të shtunën në mbrëmje, duke vrarë dy persona dhe duke plagosur të paktën 19 të tjerë, tha kryebashkiaku i New Yorkut, Eric Adams.

Videot në internet tregojnë anijen stërvitore Cuauhtemoc duke iu afruar urës ikonike të lumit East që lidh Manhattanin me Brooklyn-in. Direkët e saj 45 metra ishin shumë të lartë për të kaluar nën urë dhe u thyen gjatë përplasjes.

Një numër kadetësh detarë të veshur me uniforma të bardha mund të shiheshin në kuvertë. Adams tha se në atë kohë në bord ndodheshin 277 persona, raportoi Reuters.

Ai shtoi se problemet mekanike kanë shkaktuar aksidentin, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Në njërën nga bazat e urës së varur, e cila ndodhet pranë portit South Street, një video në internet tregon kalimtarët që vrapojnë të frikësuar ndërsa anija e madhe me vela godet urën dhe kthehet drejt skelës.

Ura, një atraksion turistik popullor dhe një kanal i rëndësishëm trafiku midis Manhattanit dhe Bruklinit, u përfundua në vitin 1883. Në atë kohë ishte ura më e madhe e varur në botë.

Ura nuk pësoi dëme të mëdha, tha një zyrtar i megapolit amerikan.

Trafiku është rihapur në të dyja drejtimet pas një inspektimi paraprak.

Ministria e Jashtme Meksikane tha në mediat sociale se ambasadori meksikan në Shtetet e Bashkuara dhe zyrtarë të tjerë po ndihmonin kadetët e prekur dhe ishin në kontakt me autoritetet lokale.

Në kohën e përplasjes, anija po largohej nga New York-u dhe po lundronte drejt Islandës. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko