Ish-kryeministri Sali Berisha teksa dënoi tensionet dhe përplasjet që ndodhën në kampin e muxhahedinëve pas aksionit të policisë, nuk përjashton mundësinë që mund të ketë edhe persona të infiltruar.

Në një deklaratë për mediat, Berisha thotë se PD nuk pranon kurrë ndëshkime kolektive, ndërsa thekson se ajo që ndodhi sot ishte një masakër pothuajse e vërtetë.

“Partia Demokratike është një parti e cila dënon terrorizmin ngado që vjen. Nuk përjashtohen mundësitë që brenda muxhahedinëve të ketë dhe të infiltruar, terroristë, të deleguar apo të dërguar të regjimit të Ajatollahve, por PD nuk pranon kurrë ndëshkime kolektive dhe këtë që ka ndodhur sot, një masakër pothuajse e vërtetë në kampin e Manzës.

Akuzat e formuluara nga prokuroria apo policia, sigurisht kërkonin hetim dhe gjykim, por kjo nuk mund të bëhej kurrë me një reprezalje masive ndaj refugjatëve iranianë me strehë në Shqipëri. Unë informoj shqiptarët gjithashtu se sulmet kibernetike nga regjimi i Ajetollahëve janë një e vërtetë dhe realitet i pamohueshëm në vlerësimin tim. Por informoj shqiptarët gjithashtu se para këtyre sulmeve, nuk ishte Garda Revolucionare e Ajatollahëve, as zbulimi i tyre që sulmoi sistemet dixhitale shqiptare, por i sulmoi Edi Rama me falangat e tij të krimit, që nxorri në treg të gjitha të dhënat për punonjësit e SHISH, duke nxjerrë kështu në publik, të dhëna sekrete për këtë shërbim, duke dëmtuar jo vetëm interesat e tij, por edhe të shërbimeve sekrete të NATO-s në tërësi.

PD informon shqiptarët se nuk ishin Ajatollahët që nxorrën në treg, pagat e shqiptarëve, targat e shqiptarëve, por ishin falangat e krimit të Edi Ramës ta bëjnë këtë, kohë më parë se hakerat e Pasdaranit të ndërhynin në sistemet tona.

Ishte Edi Rama dhe qeveria e tij që lëshoi në duart e patronazhistëve, të dhënat personale të mbi 1 mln shqiptarëve, të depozituar me besim të plotë tek qeveria e tyre armiqësore”, theksoi ish kryeministri.

Berisha gjithashtu i bëri thirrje OKB, NATOs dhe Kongresit Amerikan që të ndërmarrin një hetim ndërkombëtar.

“I bëj thirrje OKB, Kongresit te SHBA, i bëj thirrje NATO, u bëj thirrje institucione që merren me refugjatët të ndërmarrin një hetim ndërkombëtar për këtë ngjarje tragjike të turpshme, plotësisht të shmangeshe, krejtësisht të pajustifikueshme që turpëron Shqipërinë dhe dhunon në mënyrë flagrante konventat ndërkombëtare për refugjatët dhe ligjet e vendit”, tha Berisha.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re