Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, i është kundërpëgjigjur kryedemokratit Lulzim Basha pas akuzave që ky i fundit bëri për inceneratorët.

Gjatë debateve në Parlament, Spiropali u shpreh se është drejtësia ajo që do të hetojë nëse ka patur shkelje të procedurave.

Ndërsa i kujtoi Lulzim Bashës se pyetet nga prokurorë belgë dhe ironizon duke thënë se ka larë dy gishta e është i zhytur brenda.

“Gjithçka që u tha këtu është e pabesueshme për këdo që ka mend në kokë, ka sy për të parë. Mungesa absolute e koherencës në ato që thotë dje, ato që bën sot, është ulëritëse. Është i njëjti njeri që javë pas jave, përsërit që reforma në drejtësi është e kapur nga kjo shumicë. Është i njëjti sot që flet për hetime nga institucione që janë krijuar përmës vullnetit politik të kësaj shumice.

Lulzim Basha është shembulli i gjallë se si jo për këto që thotë afera kaq e aq, por për fakte për procedura të provuara për vjedhje të provuar ka shpëtuar vetë me procedurë për shkak të asaj drejtësie. Sot merret pyetet nga prokurorë belgë dhe bën sikur s’i ka thënë ky e s’i ka bërë ky. Flet këtu për gishta e për duar. Ky që vetëm dy gishta ka lart dhe është i zhytur brenda.

Ne lejuam të ngrihej komisioni për hetimin e procedurave për inceneratorët, edhe pse ishte në hetim nga SPAK e morëm këtë vendim për t’ju dhënë juve mundësinë por edhe për të qenë transparent deri në fund sepse nuk kemi gjë për të fshehur. Nëse ka patur shpërdorime detyre atë e përcakton prokuroria, as juve dhe as Jorida Tabaku se është kthyer aty në një prokurore.

Sot ka dalë në ballë të betejës duke shpallur njerëz fajtorë e duke kërkuar burgim. Ne nuk çojmë njerëz në burg, atë e bën drejtësia. Ne jemi të lirë sepse kemi marrë vendimin për ta çliruar drejtësinë dhe këtë vend nga ju dhe nga zgjedha që kishit vënë mbi këtë pushtet kushtetues”, u shpreh Spiropali.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re