Pas akuzave të njëpasnjëshme të liderit të opozitës Lulzim Basha për mos menaxhimin e pandemisë së Covid-19 nga ana e qeverisë ka reaguar kryeministri Edi Rama.
Basha ka akuzaur vazhdimisht qeverinë, duke nënvizuar faktin se spitalet janë në kolpas dhe se nuk ka vende për personat e sëmurë.
Rama ka publikuar një video nga spitali Covid-3, ku shihet sipas tij që ka shtretër të gatshëm dhe mjekë e infermierë në gatishmëri.
Reagimi i plotë: JA SI ËSHTË NË FAKT SOT, TANI, LIVE, E VËRTETA PËR KAPACITETIN E SHTRETËRVE NË SPITALIN COVID 3
Lulëzim Basha vazhdon të dizinformojë, përditë e përditë, se “spitalet janë në kolaps, shtretërit janë plot, njerëzit dergjen nëpër dysheme, s’ka mjekë, s’ka infermierë”, s’ka asgjë përveç Lulëzimit që ka recetën magjike të ndaljes së infeksionit!
Eshtë fatkeqësi e madhe që ndërkohë që numrat rriten edhe tek ne si kudo në planet, nga Gjermania e Franca deri në fund të botës, si askund në botë opozita jonë shpif, akuzon, përhap panik e nxit çorodi, duke përbuzur dhimbjet e të prekurve, sakrificat e bluzave të bardha, faktet e sfidat e kësaj kohe kaq të vështirë për njerëzit në Shqipëri e në mbarë botën!
Këto pamje janë sot, tani, live, brenda spitalit Covid 3, ku siç e shihni ka shtretër të gatshëm dhe mjekë e infermierë në gatishmëri! Po pamje krejt të ngjashme sallash e shtretërish të gatshëm, së bashku me trupa të gatshme bluzash të bardha, mund të shihen në spitalin Covid 4 që ende nuk është hapur – ndërkohë që në bazë të strategjisë së vjeshtë/dimrit jemi gati të hapim edhe struktura rajonale me të gjitha kushtet e stafet mjekësore, nëse do të jetë nevoja.
Kjo është padiskutim një situatë e vështirë, po ku nuk është? Por kjo vështirësi nuk kalohet me akuza, sharje, shpifje e sajesa, po me përpjekje të mëdha dhe solidaritet të madh!
Lulëzim Basha, Ilir Meta, Monika Kryemadhi dhe Sali Berisha, ëndërrojnë pikërisht ato që thonë, kolapsin e spitaleve, dergjjen në dysheme të njerëzve, katastrofën totale, por përsëri do të zhgënjehen e do të ndëshkohen nga populli!
Ne do ta fitojmë edhe këtë sfidë, as më shumë e as më pak, po si e gjithë bota, sepse askund nuk po bëhet ndonjë mrekulli, kudo po luftohet me çdo mundësi! Deri në fund. Besim, durim, kurajo dhe solidaritet!
/faxweb
