Spitali Amerikan vijon punën pa ndërprerje në të gjitha departamentet me kapacitete të plota edhe gjatë periudhës së pandemisë së COVID-19. Kirurgu i përgjithshëm, Dr. Bledar Kola shprehet se ndërhyrjet kirurgjikale apo rastet urgjente marrin shërbim të menjëhershëm në këtë spital.

 “Shërbimi i kirurgjisë po vazhdon të funksionojë rregullisht brenda rregullave dhe me masa të marra për situatën që është krijuar. Ne kemi një urdhër për të shtyrë operacionet që mund të shtyhen, por ndërkohë nuk kemi ndërprerë shërbimet për qytetarët.

Shërbimet e Urgjencës dhe shërbime të cilat nuk presin, ne vazhdojmë ti kryejmë rregullisht. Kjo vazhdon duke marrë parasysh të gjitha masat sipas urdhërit të qeverisë dhe sipas protokollit që ne kemi si spital. Masat që spitali ka marrë fillojnë që tek izolimi, dezinfektimi, pastrimi që gjithashtu është ngritur në shkallën më të lartë”,u shpreh  Dr. Bledar Kola, kirurg i përgjithshëm.

Nga ana tjetër edhe shërbimi i urgjencës në Spitalin Amerikan është në gatishmëri të plotë 24 orë, sipas menaxherit të shërbimit të urgjencës, dr. Florian Vaso.

“Ne jemi detyruar për të vazhduar punën duke qenë të gatshëm për të pritur të gjitha urgjencat. Momentalisht i gjithë personeli duhet të jetë pajisur me të gjitha masat mbrojtëse, pavarësisht se bëjmë kontroll të imtësishëm të pacientëve.

Shërbimi ka vazhduar i plotë për të gjitha urgjencat dhe rastet të cilat nuk mund të presin. Në kuadër të masave në spital është një hyrje e kufizuar e pacientëve. Në postet e hyrjes janë vendet ku bëhet  “Check-up”-i fillestar i pacientëve për të kontrolluar temperaturën apo një ekspozim ndaj faktorëve infeksiozë”, tha Dr. Florian Vaso, menaxher i shërbimit të urgjencës.

Spitali Amerikan u ofron shërbim me standarde bashkëkohore të gjithë pacienteve të cilët kanë nevojë për trajtim mjekësor gjatë kësaj periudhe të vështirë që po kalon vendi ynë dhe e gjithë bota.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re