Skip to content

Spitali Rajonal i Fierit që do të ndërtohet nga Turqia, qendër ekselence e sistemit shëndetësor

 

Spitali Rajonal i Fierit, i cili do të ndërtohet me mbështetjen e qeverisë së Republikës së Turqisë, do të jetë një shembull i sistemit shëndetësor dhe një qendër e transferimit të teknologjisë e të dijes nga sistemi shëndetësor turk në sistemin shëndetësor shqiptar. Këtë vlerësim bëri, Kryeministri Edi Rama në Fier, ku së bashku me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, zhvilloi para pak ditëve një takim në Bashkinë e Fierit me kryebashkiakun Armando Subashi, për të diskutuar mbi vendndodhjen e spitalit dhe përshpejtimin e procedurës të lejes së ndërtimit dhe shpronësimeve përkatëse.

 “…Nuk është vetëm ndërtimi, por edhe transferim teknologjik dhe transferim dije, sepse për një periudhë kohe do të administrohet nga burimet njerëzore të sistemit shëndetësor të Republikës së Turqisë…”, theksoi Rama.

Më tej, Rama tha se ai të jetë spital publik, pjesë e rrjetit të spitaleve të Republikës se Shqipërisë dhe se burimet njerëzore do të administrohen nga vetë ata me të njëjtin sistem.

“…Do të rekrutohen mjekët, infermierët me standardet e duhura…Në vend që të ikin në Turqi, ata që e kanë fiksim që duhet të shkojnë në Turqi, të mund të vijnë këtu e të kenë të njëjtin shërbim si të jenë në mes të Stambollit apo Ankarasë…”, u shpreh ai.

Në lidhje me këtë projekt, duke publikuar videon nga vizita në Fier, Rama ka shkruar se, “Nisim punën për Spitalin rajonal, i cili do të ndërtohet me mbështetjen e qeverisë së Republikës së Turqisë, si dhe do të jetë njëkohësisht një qendër e transferimit të teknologjisë e të dijes nga sistemi shëndetësor turk në sistemin shëndetësor shqiptar, duke u administruar e drejtuar në çdo pavion prej ekspertëve e mjekëve turq për një periudhë tranzitore, deri në kalimin e kompetencave tek drejtuesit shqiptarë, të cilët do të punojnë e mësojnë krah për krah ekspertëve turq, për ta marrë më pas të gjithë përgjegjësinë mbi supet e tyre”.

Kryeministri inspektoi edhe vendndodhjen e mundshme ku do të ndërtohet spitali, e lokalizuar pranë autostradës, të cilin e vlerësoi një vend të përshtatshëm e të aksesueshëm lehtësisht.

Nga ana tjetër, skuadra turke që do të fillojë punën ka arritur tashmë në Shqipëri e bashkë me kryeministrin Rama dhe përfaqësuesin e kompanisë që do të ndërtojë spitalin ishin në këtë zonë. “…Sfida është shumë e madhe siç mund ta kuptoni. Ju jeni ndër ata që ka reputacionin e madh për zhvillimin e projekteve shumë sfiduese. Tani ne jemi këtu në dispozicionin tuaj, çdo gjë do të jetë si e kërkoni ju, me mbështetje të plotë. Plani që keni ju parashikon që shumë njerëz të punojnë këtu, prandaj mirë se vini dhe ambasadori nga ana juaj dhe ne nga ana jonë do të japim mbështetje të plotë…”, – u shpreh kryeministri Rama.

Ndërsa, përfaqësuesi i “YDA Group”, Hüseyin Arslan në lidhje me projektin tha se do të bëjnë më të mirën.

“Ne si grup, morëm urdhër nga Presidenti ynë, Recep Tayyip Erdoğan, javën e kaluar gjatë vizitës së Kryeministrit të nderuar në Turqi, na instruktuan të finalizojmë. Duhet të dorëzojmë spitalin pas 3 muajsh, ka një bast të madh mbi këtë gjë, e dimë që është një sfidë e madhe, dhe faleminderit për mbështetjen që na dhanë që nga dita e parë”, theksoi Arslan.

Kompania turke që do të ndërtojë spitalin pritet të angazhojë 1.200 punëtorë me 3 turne dhe për 7 ditë të javës. “Do përdorim edhe forcën e punës shqiptare, ne presim minimum 20-30% e punonjësve të jenë nga forca e punës shqiptare dhe vëllezërit shqiptarë do na mbështesin për këtë. Dhe të gjithë produktet që ne do i gjejmë në Shqipëri, të bëra këtu do preferojmë t’i blejmë këtu, pjesa tjetër do vijë direkt nga Turqia”, – tha Hüseyin Arslan, përfaqësuesi i kompanisë turke.

Ai u shpreh se shpresojnë që të jetë një investim shumë i mirë për infrastrukturën e shëndetësisë shqiptare.

“E dimë rëndësinë e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Turqisë. Jemi vëllezër dhe jemi shumë të nderuar për ndërmarrjen e një projekti të tillë kaq sfidues”, ka thënë Arslan.

Përmendim se ndërtimin e një spitali në Shqipëri e premtoi Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, gjatë vizitës historike të kryeministrit shqiptar, Edi Rama në Ankara. 

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri –