Spitali Rajonal Memorial i Fierit, i ndërtuar në një kohë rekord, investim i Republikës së Turqisë u hap javën e kaluar dhe do të ofrojë shërbime të nivelit terciar, për të gjithë Rajonin e Jugut dhe më tej.

 

Me një kapacitet 150 shtretër, në këtë spital do të aplikohet për herë të parë modeli i autonomisë spitalore.

Ekipi i mjekëve turk të cilët do të punojnë së bashku me ekipin shqiptar, shprehen se ndjehen të lumtur që do të punojnë në një strukturë të tillë spitalore dhe që do të kenë mundësi të shkëmbejnë eksperiencat me njëri-tjetrin për të ofruar shërbime cilësore pacientëve shqiptarë.

Prof. dr. Bülent Yüksel tha se “…Është një spital shumë i bukur. Kam një respekt për të gjithë dhe dashuri për popullin shqiptar…”.

“…Besoj se do të bëjmë shumë gjera të bukura në lidhje dhe me trajnimin e punonjësve të rinj që do të punojnë këtu edhe me shërbimet që do të japim këtu…”,shprehet mjekja anesteziste Ayşe Lafcı.

Ndërsa, mjeku i Sëmundjeve të Brendshme, Ismail Emre Arslan tha se, “…Jam shumë i lumtur që jam këtu në Shqipëri dhe po pres me padurim të filloj punën bashkë me kolegët e mi shqiptarë, të ndaj eksperiencën time me ta…”.

Po ashtu, dr. Frenkli Vila tha se “…Është një spital që i bashkon të gjitha kushtet bashkëkohore krahasuar me të gjithë spitalet e Ballkanit dhe të Evropës dhe jam shumë i lumtur që do të ndajë këtë eksperiencë timen dhe do marr eksperiencë nga mjekët e stafit turk…”

Dr. Aida Xhika dhe Dr. Eneida Bozaxhiu thanë se është një eksperiencë shumë e mirë për të punuar në këtë spital sipas standarteve bashkëkohore.

“Është një eksperiencë shumë e mirë për ne që të ofrojmë pjesës së komunitetit të jugut një shërbim sa më cilësor…”.

 “…Kam aplikuar për të punuar në këtë strukturë si një mundësi më shumë për t’u shërbyer qytetarëve me një standard më të lartë…”.

Ndërsa, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu ka publikuar fotot e pacientëve të parë që kanë hyrë në këtë spital për të marrë shërbim mjekësor në spitalin i ri.

“Spitali Memorial i Fierit ka hapur sot dyert për pacientët e parë, sipas sistemit të referimit, nëpërmjet 127-ës. Shumë suksese ekipit të përbashkët shqiptaro-turk, që çelën sot fazën e parë të shërbimeve për qytetarët. Më e mira është përpara…”, shprehet ministrja Manastirliu.

Spitali Memorial Rajonal Fier do të ofrojë shërbimin e urgjencës, kirurgjisë, neurokirurgjisë, kirurgjisë kardio-vaskulare, mjekësisë interne, kardiologjisë, neurologjisë, sëmundjeve infektive, pneumologjisë, shërbimin e ortopedisë dhe traumatologjisë, etj.

Nga ana tjetër, në Spitalin Memorial të Fierit, nisi për herë të parë trajnimi i personelit mjekësor të spitaleve rajonale të jugut.

Trajnimi po kryhet nga specialistët e Qendrës Kombëtare të Urgjencës. Në ditën e parë personeli u njoh me procedurat që duhen ndjekur për trajtimin e Strokut.

Trajtimi i Strokut (Iktusi iskiemik), është një shërbim terciar që do t’u ofrohet qytetarëve shqiptarë, kryesisht të rajonit të jugut. Kjo sëmundje është kohë dipendente për të cilën duhet ndërhyrë brenda tre orëve nga shfaqja e simptomave.

“Përgatitja e stafeve mjekësore me protokollet bashkëkohore për kryerjen e trombolizës është vendimtare në shpëtimin e jetës dhe uljen e invaliditetit”, u shpreh kreu i Urgjencës Kombëtare Shqiptare, Skënder Brataj.

Ndërkaq, në Spitalin Memorial të Fierit është kryer me sukses ndërhyrja e parë kirurgjikale.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ndau lajmin e mirë të zhvillimit të operacionit të parë nga ekipi i mjekëve shqiptaro-turk.

“Bravo ekipit të përbashkët të mjekëve shqiptaro-turk, Prof. Dr. Bulent Cavit Yuksel, Dr. Ilkay Guler, Dr. Frenki Vila, Dr. Ayse Lafci dhe Dr. Aida Xhika. S’ka kohë për pushim”,

Spitali Memorial i Fierit do të shërbejë si qendër ekselence, ndërkohë që operohet me staf të përbashkët mjekësor dhe infermieror shqiptaro-turk.

Ndërsa, kryeministri shqiptar Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, vizitoi këtë të hënë ambientet e këtij spitali, i cili ka tashmë 18 pacientë të shtruar dhe ku janë kryer 100 konsultime dhe 2 kirurgji.

Rama shprehu mirënjohjen për gjithë personelin turk që ka ardhur dhe po shërben në këtë spital.

“Dua t’ju them se dhe kjo nuk është thjesht çështje e një spitali dhe një shërbimi, por më shumë, mbi të gjitha transferimi dijesh. Në njëfarë mënyre misioni juaj është i dyfishtë, edhe për të shërbyer ndaj pacientëve, por dhe për t’ju përcjellë kolegëve shqiptarë dije dhe eksperiencën. Ne duam, që ky spital të jetë si një qendër e transferimit të dijes edhe për personelin e spitalet e tjera. Jemi në dispozicion për çdo gjë që keni nevojë. Ne duam që ju të ndjeheni si në shtëpinë tuaj”.

Edhe pacientët u shprehën të kënaqur me shërbimin dhe me kushtet e Spitalit Rajonal Memorial.

“…Jemi shumë të kënaqur. Kur hyra po mendoja ku jam, në një vend tjetër të Europës apo në Shqipëri…”, tha një prej familjarëve të pacientëve të shtruar në këtë spital.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri –

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re