Sali Berisha gjatë një takimi me mbështetësit në Durrës, ka reaguar lidhur me deklaratat e ambasadores amerikane Yuri Kim e cila pyeti kandidatët çfarë u ofrojnë votuesve në një kohë kur sponsori i tyre është “non grata”.

Berisha u shpreh se mes të gjithë komenteve zgjodhi të veçojë mesazhin e mikut të tij gjuhëtar sipas të cilit deklarata e ambasadores është përkthim nga shqipja në anglisht e shprehjeve të kryeministrit Edi Rama.

“Deklarata sot e gurventaores shprehte këtë tronditje. Nuk i dalin kërkund hesapet. Mund të bëjmë shumë komente por do ju them vetëm një mesazh që më dërgoi miku im gjuhëtar. Më thotë Sali është përkthim nga shqipja në anglisht. Në shqip është deklaratë e Ramës. Ajo bën sekretaren ideologjike të Partisë Socialiste”, tha Berisha.

Ai shtoi se një nga qëllimet e Soros është të prishë imazhin e SHBA te shqiptarët por këtë nuk do e realizojë.

“E gjithë kjo përpjekje është e pashpresë. Si gurvenatore i lejon vetes të ndërhyjë në procese të brendshme elektorale. Këtu ajo përfaqëson mafien e George Soros. Një nga qëllimet e Soros është të prishë imazhin e SHBA te shqiptarët. Këtë nuk do e realizojë. Ne do ecim të vendosur të votojmë të lirë dhe të zgjedhim të lirë përfaqësuesit tanë brenda partisë ata që duam. Kush mërzitet nga standardet e lirisë i themi rrugë e mbarë”, u shpreh ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re