Është zbardhur dëshmia e ish-zv.drejtorit të Policisë së Tiranës, Erzen Breçani, në seancën paraprake në GJKKO, ku kjo e fundi shpalli moskompetencë dhe e dërgojë çështjen për gjykim në Gjykatën e Tiranës.

Gazetarja Klodiana Lala, raporton se gjatë seancës Breçani kundërshtoi akuzat e SPAK dhe deklaroi se: “nuk mund ta pranoj që unë të gjykohem me këto prova”.

Ai është shprehur se nuk ka pastruar para dhe se paratë për hidrocentralin që ka në pronësi, ia ka marrë të vëllait, që sipas tij ka 25 vite me disa biznese.

“Nuk mund ta pranoj që unë të gjykohem me këto prova që janë paraqitur nga SPAK. Për akuzën e “pastrimit të parave”, as më ka shkuar në mend dhe as kam pastruar para. SPAK e thotë vetë që nuk kemi mundësi financiare dhe është e vërtetë, paratë për hidrocentralin ia kemi marrë vëllait që ka 25 vite, me disa biznese”, deklaroi Breçani.

Gjatë dëshmisë së tij, Breçani foli dhe për njohjen me një prej të pandehurve, Bujar Ajeti alias Gërmizi.

Ai ka treguar se me të njihet që fëmijë dhe më pas te RENEA. Breçani ka deklaruar se sipas informacioneve që kishte, Bujar Ajeti nuk ka qenë person në kërkim nga shteti shqiptar.

“Bujar Ajetin e njoh që kur ishim fëmijë, më pas edhe tek RENEA. Në dijeninë time nuk ka qenë person në kërkim nga shteti shqiptar. Unë kam ndjekur kriminelët gjithë jetën time, nuk kam përse të përkrah këtë kategori tani”, theksoi Breçani.

LEXO EDHE: Dosja “Metamorfoza”/ GJKKO pranon gjykimin e shkurtuar për ish-shefin e krimeve dhe 5 të pandehurit e tjerë! Ndahet çështja për Erzen Breçanin

Kujtojmë se Gjykata e Posaçme vendosi të shpallë moskompetencën dhe dërgojë për gjykim në gjykatën e Tiranës dosjen penale ndaj Erzen Breçanit dhe ish-punonjëses së policisë, Jonida Babameto.

Vendimi u mor pasi gjatë shqyrtimit të dosjes ne seancë paraprake, nuk u provua se Breçani si dhe ish-zyrtarja e policisë të kenë vepruar në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Të dy të pandehurit pritet të gjykohen me procedurë të zakonshme.

Ndërkohë Gjykata e Posaçme pranoi gjykimin e shkurtuar për të pandehurit Ismail Zeneli, Bujar Ajeti, Besmir Murtati, Adrian Cenaj, Albert Prenga dhe ish-zyrtarin e lartë të policisë, Dedan Gjoni.

Këta të fundit akuzohen si anëtarë të një grupi kriminal që trafikonte kokainë, siguronin kushte për të kryer vrasje, apo bënin pastrim parash.

Personat e tjerë që ndodhen ende në kërkim mes tyre djali i Erzen Breçanit, Eralbi, Ervin Mata, Artan Sulejmani dhe Bajram Grabova, të cilët janë shpallur në kërkim ndërkombëtar që prej nëntorit të vitit 2023 do të gjykohen në një process të ndarë.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko