Nga Sali Shasivari

Tashmë po bëhen gati 30 vite që nga fillimi i sagës së fundit tragjike ballkanike, si dhe fillimit të golgotës së përgjakur të fund shekullit të kaluar ndaj popullit autokton dhe të pafajshëm musliman boshnjak…!

Po ashtu, gjatë këtyre ditëve mbushen plotë 26 vite nga masakra më famëkeqe në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore…; masakër kjo, e cila u ekzekutua në zemër të ‘kontinentit plak’, para syve të botës së ‘civilizuar’, dhe para heshtjes makabre të atyre të cilit kishin mundësi ta parandalojnë këtë tragjedi njerëzore…!

Sa ju takon ekzekutuesve të kësaj sage tragjike ballkanike, kësaj golgote të përgjakur, dhe kësaj masakre gjenocidale (e, që ishin fallangat sllave në përgjithësi, si dhe kriminelët serb në veçanti), çdo fjalë do të ishte e tepërt, ngase, ata, vetëm se realizuan instiktin e tyre të natyrshëm të plaçkitjes, asimilimit, dëbimit, vrasjes, dhe masakrimit të njerëzve, fiseve, dhe popujve tjerë të pafajshëm…, ashtu siç vepruan – sa herë që ju jepej mundësia – përgjatë shekujve (që nga dyndjet e tyre nga Karpatet, dhe vendosja e tyre në trevat ballkanike, në llogari të popujve autoktonë), deri në kohërat më të reja…, duke kulmuar me gjenocidet më të fundit të fundshekullit të kaluar në Bosnje dhe Kosovë; instikt ky, i cili, në ditët e sotme, në pamundësi të realizimit praktik si më parë, i njëjti është shndërruar në ‘retorikë’ të vazhdueshme kanosëse politike, ekonomike, dhe kulturore…!

Historia, faktet historike, dhe realiteti janë dëshmi më e mirë në lidhje me këtë që po e them…!

Andaj, objekt trajtimi i këtij shkrimi nuk do të jenë ekzekutuesit direkt të këtyre planeve dhe veprave kriminale, por, për hirë të së vërtetës, dhe me qëllim të trajtimit të plotë të shkaqeve dhe pasojave, do të ishte e padrejtë nëse në këtë kontekst nuk i përmendim të gjithë ato faktorë tjerë të cilët ua mundësuan këtyre barbarëve që të derdhin gjak e vrerë mbi njerëzit dhe popujt e pafajshëm, e që më pastaj, të njëjtët, t’i rehabilitojnë, t’i shfajësojnë, t’i mbrojnë, ti shpërblejnë, t’i avancojnë, t’i përkdhelin, dhe t’i llastojnë deri në përmasa absurde…; ndërsa, nga ana tjetër, viktimat t’i fajësojnë, t’i qortojnë, t’i sanksionojnë, dhe t’i dënojnë pa pikë faji…!

I këtillë ka qenë trajtimi i fuqive të mëdha ndaj faktorit sllav në përgjithësi, si dhe ndaj kriminelëve serb në veçanti, përgjatë gjithë historisë, sidomos asaj më të re…; trajtim i ‘privilegjuar’ ky, i cili, për fat të keq, po vazhdon edhe në ditët e sotme…!

Dhe se, e këtillë ka qenë qasja e fuqive të mëdha ndaj popullit të pafajshëm shqiptar dhe boshnjak muslimanë përgjatë gjithë historisë, sidomos asaj më të re…; qasje kjo, e llojit të ‘standardeve të shumëfishta’, e cila, për fat të keq, vazhdon edhe sot e kësaj dite!

Sa për ilustrim në lidhje me këtë që u tha, vlerësohet se, në vitet e fundit, Unioni Evropian ka investuar në Serbi rreth 32 miliardë euro, duke krijuar rreth 100,000 vende pune…! Kështu, në momentet që Bosnja dhe Kosova po shpopullohen në mënyrë drastike, Serbët po mburren se, falë Evropës, ikja i të rinjve nga Serbia është ndalur!

Së këndejmi, nëse flasim konkretisht për masakrën e përmasave gjenocidale ndaj njerëzve të pafajshëm në Srebrenicë (11 Korrik 1995), ku u ekzekutuan në mënyrë më mizore mbi 8 mijë persona, do të shohim se, ky ‘kamp përqëndrimi’ dhe kjo masakër famëkeqe, u realizua në një ‘zonë të mbrojtur’ nga forcat ushtarake të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (konkretisht UNPROFOR-it holandez), të cilat ia dorëzuan këtë zonë kasapit të Ballkanit – Ratko Mlladiç – dhe njësitit të tij famëkeq si peshqesh, edhe atë, në shkëmbim të një shisheje ‘raki’…!

Mbase, për hirë të së vërtetës, duhet konstatuar se, asgjë tjetër nuk mund të pritej nga një organizatë impotente siç është OKB-ja, e cila është e kapur nga 5 ‘fuqitë e mëdha’ anëtare të përhershme në Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të cilat luajnë rolin e ‘armikut dhe gjykatësit’ në të njëjtën kohë…!

Në sajë të kësaj, shtetet të cilat shkaktuan, nxitën, dhe morrën pjesë në Luftën e Parë Botërore, Luftën e Dytë Botërore, si dhe shumë e shumë luftëra tjera ‘të nxehta’ dhe ‘të ftohta’ anekënd globit…; po të njëjtat shtete, përmes agjenturave, ‘satelitëve’, mercenarëve dhe servilëve të tyre, shkaktuan, nxitën, bile-bile edhe morën pjesë në gjenocidin që u shkaktua në Bosnje në përgjithësi, si dhe në Srebrenicë në veçanti…; avaz këtë, të cilin po e vazhdojnë edhe në ditët e sotme, anekënd globit…!

Nën hijen e këtij ‘indiferentizmi dhe kësaj ‘impotence’ të OKB-së…, nën hijen e planeve ogurzeza të fuqive të mëdha…, dhe, si rezultat i mungesës së mbështetjes së mirëfilltë qoftë nga Perendimi apo nga Lindja…, ata që e përsuan më keq në Ballkan, ishin popujt e pafajshëm muslimanë, të cilët, duket se po detyrohen në vazhdimësi që të paguajnë ‘çmim të shtrenjtë’ për shkak të identitetit të tyre fetar…!

E, ajo që të bën të irritohesh më së shumti karshi një realiteti të këtillë, janë deklaratat mirakëndëse dhe boshe të cilat i dëgjon nga shkaktarët, nxitësit, dhe pjesmarrësit direkt apo indirekt në gjenocidet e këtilla, të cilët flasin për ‘vlera’, ‘paqe’, ‘liri’, ‘demokraci’, ‘të drejta të njeriut’, etj., ndërsa, nga ana tjetër, vazhdojnë ta stimulojnë agresorin, dhe, ta dënojnë viktimën…!

Kështu, të përkujtosh dhe të flasësh për Srebrenicën, sikurse je duke përkujtuar dhe je duke folur për ndonjë fatkeqësi natyrore (siç thotë Akademiku boshnjak, Dr Ferid Muhiç), është po aq e shëmtuar dhe po aq kriminale sa vetë masakra gjenocidale në fjalë…!

Andaj, slloganet e llojit “Never Forget Srebrenica” (Kurrë mos e harroni Srebrenicën), janë domethënëse dhe të pranueshme nga ana e individëve të rëndomtë; dhe se, të njejtat duhet të promovohen në vazhdimësi…

Por, kur këto sllogane përdoren si të tilla nga ana e burrështetasve, personave me ndikim, qeverive, shteteve, dhe fuqive të mëdha, ato, jo vetëm që nuk kanë kurrfarë domethënie, dhe, që janë të papranueshme, por, të njejtat, mund të konsiderohen edhe irituese dhe fyese…

Andaj, në përkujtime të tragjedive të këtilla, siç është Srebrenica, dhe jo vetëm, shkaktarëve, nxitësve dhe pjesmarrësve direkt apo indirekt, duhet të ju themi njëzëri: ‘Acta, non verba’ (Dëshirojmë veprime konkrete, e jo fjalë boshe)!

Ndërsa, si individë, grupe, shoqata, organizata, kolektiv, shoqëri, popuj të lirë, etj., duhet të vazhdojmë përkujtimin e ngjarjeve të këtilla makabre, edhe atë, nga njëra anë, me qëllim që të mos harrojmë; ngase, nëse harrojmë, do të rrezikojmë që krimet e këtilla të na përsëriten… Ndërsa, nga ana tjetër, me qëllim që të ushtrojmë presion të vazhdueshëm ndaj shkaktarëve, nxitësve, dhe pjesmarrësve direkt dhe indirekt në krime të këtilla, që të pendohen, të kërkojnë falje, të dalin para drejtësisë, dhe të zotohen për ‘kurrë më’…!

E, pas gjithë kësaj, viktimat, edhe nëse vendosin të falin, ata duhet të zotohen se “kurrë nuk do të harrojnë”!

Mbase, edhe ne “kurrë nuk do të harrojmë”…!

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re