Disa stadiume gjermane, duket se nuk kanë hequr dorë, pas vendimit të UEFA, për të mos lejuar ndriçimin me ngjyrat e ylberit, të stadiumit ku do të luhet ndeshja e Gjermanisë me Hungarinë.

Euronews raporton se klubet në Berlin, Wolfsburg, Frankfurt dhe Cologjne, kanë deklaruar se do të ndriçohen me ngjyrat e ylberit, për të dërguar një mesazh për barazinë dhe të drejtat e komunitetit LGBT+, ndaj Hungarisë dhe botës.

Kryebashkiaku i Mynih, Dieter Reiter, u shpreh se do të ngrejë flamurin LGBT+ në Bashki dhe gjithashtu do të kenë një turbinë ere afër stadiumit, të ndriçuar me ngjyrat e ylberit.

“Ne në Mynih, nuk do të lejojmë të dekurajohemi për të dërguar një mesazh ndaj Hungarisë dhe botës“, tha Reiter.

UEFA vendosi të mos e pranojë kërkesën e Këshillit Bashkiak të Mynihut, për të ndriçuar stadiumin ku do të zhvillohet ndeshja me Hungarinë, me ngjyrat e ylberit, për të dhënë një mesazh sensibilizimi me komunitetin LGBT në Hungari, që ka qenë nën sulme të vazhdueshme dhe subjekt i ligjeve kontroverse nga qeveria e Viktor Orban. UEFA ka deklaruar se ky propozim ka një “kontekst politik”.

Me sa duket, gjermanët nuk do të dorëzohen, por do të përdorin mënyra kreative, për të dërguar një sinjal të qartë ndaj Hungarisë, për respektimin e të drejtave të njeriut

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re