Ministria e Jashtme turke është detyruar të reagojë ndaj qëndrimit të autoriteteve gjermane për të lejuar zhvillimin në Këln të një manifestimi të HDP-së, një partie në Turqi me qëndrim të hapur pro organizatës terroriste PKK.

Siç njofton e përditshmja turke në gjuhën angleze “Daily Sabah”, ky qëndrim i autoriteteve gjermane është quajtur hipokrizi.

Në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Turqisë thuhet se, “Ky qëndrim dyfytyrësh, të cilin e dënojmë fuqimisht, nuk mund të pajtohet me demokracinë, me luftën kundër terrorizmit dhe me pritshmëritë për një normalizim në marrëdhëniet turko-gjermane.”

Rregulli duhet të zbatohet për të gjitha partitë politike, nënvizohet në reagimin turk, ndërsa ministri i Jashtëm gjerman kishte deklaruar në prill se politikanët turq nuk do të lejoheshin të zhvillonin në Gjermani veprimtari të fushatës elektorale.

Turqia mban zgjedhje të parakohshme presidenciale dhe parlamentare më 24 qershor, dhe zyrtarët e politkanët e partisë në pushtet, AKP-së, janë frenuar në synimet për të mbajtur takime në vendet europiane ku jetojnë qytetarë të shumtë turq.

Presidenti Rexhep Tajjip Erdogan iu drejtua bashkëkombasve të tij një javë më parë nga një tribunë në Sarajevë, në kryeqytetin e Bosnjë-Hercegovinës.

Gjermania, posaçërisht, është treguar e njëanshme, duke u lënë fushë veprimi kundërshtarëve të Erdoganit dhe të AKP-së, apo dhe të Turqisë, siç është rasti me mbështetësit e PKK-së.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re