
Kryeministri britanik Keir Starmer pohoi sot se mbështet homologen e tij daneze, Mette Frederiksen, pas kërcënimeve të reja nga presidenti i SHBA-së Donald Trump në lidhje me Groenlandën.
“Unë e mbështes atë dhe ajo ka të drejtë për të ardhmen e Groenlandës”, u tha kryeministri britanik gazetarëve.
”Vetëm Groenlanda dhe Mbretëria e Danimarkës duhet të vendosin për të ardhmen e Groenlandës”, theksoi ai.
Donald Trump riafirmoi dje në mbrëmje dëshirën e tij për të parë Groenlandën të vihet nën kontrollin amerikan, pasi kryeministri danez i kërkoi Shteteve të Bashkuara të “ndërpresin kërcënimet” e tyre për të aneksuar territorin.
Ndërhyrja ushtarake amerikane në Venezuelë, e cila nxori në pah interesin e Donald Trump për burimet e saj të mëdha të naftës në vend, ka ringjallur frikën për Groenlandën, e cila lakmohet nga presidenti amerikan për burimet e saj të rëndësishme minerale dhe vendndodhjen strategjike.
“Ne kemi nevojë për Groenlandën nga një këndvështrim i sigurisë kombëtare, dhe Danimarka nuk do të jetë në gjendje të kujdeset për të,” përsëriti presidenti amerikan për gazetarët në bordin e “Air Force One”, dje në mbrëmje.
