Të shpallesh kampion dimri në Superiore do të thotë që në fundin e kampionatit të kesh shanse të mëdha për të rrëmbyer titullin kampion.

7 nga 10 skuadrat në dhjetë sezonet e fundit që i kanë mbyllur dy fazat e para të kampionatit në krye të tabelës së klasifikimit kanë dalë kampione te Shqipërisë.

Dhe Egnatia do të provojë që të respektojë këtë trend dhe të ruajë fronin, pasi pas fitores së fundit kundër Teutës është në krye të Superiores.

LEXO EDHE: Egnatia shpallet “kampione dimri”, Dinamo mposht Partizanin

Që prej sezonit 2015-2016, ekipet që e kanë nisur mirë kampionatin dhe kanë treguar forcën e tyre që në start ia kanë dalë të triumfojnë në fund. Duke nisur që me Skënderbeun, Kukësin dhe Partizanin. Edhe Egnatia dy vite më parë doli kampione dimri dhe festoi titullin kampion të parë në histori.

Mirëpo ka edhe përjashtime nga ky rregull i pashkruar që nuk respektohet gjithmonë. Pikërisht rrogozhinasit vitin e kaluar ia rrëmbyen titullin Dinamos, që u shpall kampione dimri, por u eliminua në gjysmëfinalen e Final 4 nga Vllaznia.

Edhe në sezonet 2019-2020 dhe 2020-2021 ky trend nuk është respektuar, pasi Tirana ia ka rrëmbyer titullin Kukësit dhe Teuta Vllaznisë.

Pra Egnatia e këtij sezoni ka shumë arsye për të festuar, por në fund asgjë nuk është e sigurt.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re