Guvernatori i Bankës së Shqipërisë bëri me dije se për dy javët e izolimit të muajit mars kanë humbur punën 17 mijë persona.

Në një deklaratë për mediat, ai tha se reduktimi i kërkesës së brendshme e të huaj dhe kufizimi i aktiviteteve prodhuese e shërbyese në vend, kanë sjellë rënie të prodhimit, rritje të papunësisë, dhe vështirësi financiare për bizneset dhe familjet shqiptare.

“Pandemia ka shkaktuar goditje të gjithanshme mbi ekonominë shqiptare. Pasojat e saj kanë filluar të pasqyrohen tashmë dhe në informacionin e disponueshëm statistikor,” tha Sejko

“Sipas të dhënave të instat-it, ekonomia shqiptare u tkurr me 2.5% në tremujorin e parë të këtij viti, duke pasqyruar rënien e eksportit dhe të investimeve. Po kështu, të dhënat e tregut të punës tregojnë se ekonomia shqiptare humbi rreth 17000 mijë vende pune në këtë periudhë, ndërsa norma e papunësisë u rrit në 11.4%,” u shpreh ai.

Rritja ekonomike rikthehet me 2021

Banka e Shqipërisë vlerëson se ecuria e ardhshme e ekonomisë do të varet nga kohëzgjatja e pasojave të pandemisë dhe reagimi i agjentëve të brendshëm e të huaj ekonomikë ndaj tyre.

Skenari bazë i zhvillimeve të pritura është ndërtuar mbi supozimin e shmangies së një vale të dytë të pandemisë dhe reduktimin gradual deri në zhdukje të plotë të pasojave të saj. Në këtë skenar, ekonomia shqiptare pritet të shënojë një rënie të ndjeshme për vitin 2020 dhe norma relativisht të shpejta dhe të qëndrueshme rritjeje në vijim. Aktiviteti ekonomik në vend pritet të shënojë pikun e ngadalësimit në tremujorin e dytë, të vijojë të mbetet në territor negativ në dy tremujorët në vijim, dhe ti kthehet rritjes në vitin 2021.

Në përputhje me këtë skenar, inflacioni pritet të qëndrojë pranë niveleve aktuale në gjysmën e dytë të vitit. Më tej, ky tregues pritet të shënojë një rritje graduale gjatë vitit të ardhshëm dhe të kthehet në objektiv në tremujorin e fundit të tij.

Kjo ecuri ekonomike do të mbështetet nga një miks akomodues i politikave ekonomike.

Paketat fiskale të ndërmarra deri tani kanë ndihmuar në zbutjen e pasojave të krizës. Banka e Shqipërisë pret një rishikim të Buxhetit për pjesën e dytë të vitit, rishikim i cili pritet të rezultojë në një deficit më të lartë fiskal. Sikundër e kemi thënë, politika fiskale duhet të ketë një rol primar në adresimin e sfidës që po përballemi. Rritja e kujdesshme dhe e përkohshme e borxhit publik është një kompromis i pranueshëm për të zbutur efektin e goditjes në ekonomi dhe për të mbështetur stabilitetin monetar dhe financiar të vendit

 

/shqip

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re