Nesër në Berat, Tomori dhe Apolonia do të mbyllin sezonin e rregullt në Kategorinë e Parë. Ndërkohë pas kësaj jave të fundit mbetet finalja e kategorisë dhe dy playoff-et e mbijetesës për të mbyllur zyrtarisht sezonin dhe të dalin verdiktet finale të tij.
Ndeshja ka karakterin e një takimi miqësor pasi të dy skuadrat pasi siguruan grupin playoff ia dolën të mbylin objektivin sezonal. Por kjo ndeshje vlen për mundësinë se cila skuadër do të renditet e treta pas Tiranës dhe Bylisit. Pikërisht vetëm fitorja do i vlente Tomorit për të marrë këtë vend të tretë ndërsa Apolonia mund të mjaftohet edhe me një barazim.
Interesante është se statistikat me tre skuadrat e grupit playoff: Tirana, Pogradeci dhe Bylis, Tomori ka një bilanc negativ dhe Apolonia është shansi i fundit që me njërën prej këtyre skuadrave ta ketë bilancin pozitiv.
Në tre ndeshjet e zhvilluara deri tani mes këtyre dy skuadrave secila ka nga një fitore dhe një ndeshje është mbyllur në barazim. Ndeshja e fazës së parë luajtur në Fier u fitua nga Tomori me përmbysje 2-3 por fierakët u hakmorrën në fazën e dytë në Berat me një fitore 0-1. Ndërsa ndeshja e fazës së tretë luajtur po në Fier është mbyllur në barazim pa gola. Kështu skuadrat i kanë marrë nga 4 pikë njëra-tjetrës dhe me një golavarazh të barabartë 3-3.
Por Tomori dhe Apolonia është një derbi i hershëm i Myzeqesë bashkë me Lushnjen dhe të tre këto skuadrat kanë një rivalitet të hershëm dhe shumë të bukur. Por ndërkohë sot pasqyrojmë statistikat e ndeshjes Tomori – Apolonia në 23 ndeshjet e fundit.
Tomori ka një bilanc pozitiv pasi ka fituar 10 nga këto 23 sfida ndërsa Apolonia ka 7 fitore dhe 6 ndeshje janë mbyllur në barazim. Këtë sezon ashtu si përmendëm më lart në tre ndeshjet e zhvilluara është përsëritur secili prej rezultateve të përmendura. Golavarazhi është sërish pozitiv për beratasit 27-24.
Kështu të dy këto skuadra që e bën më të bukur këtë sezon edhe për emrat e rinj që hodhën në fushë përgjatë këtij sezoni duke treguar traditën e vërtetë të futbollit beratas e fierak por pa mundur ta rivazojnë Tiranën në këtë grup. Tomori ka patur gjatë këtij sezoni një skuadër me moshë mesatare 22.7 vjeç ndërkohë edhe më e re është mosha mesatare tek Apolonia 21 vjeç./Berati.TV
