Gjykata e Posaçme ka kaluar për gjykim dosjen në ngarkim të Ilir Beqajt dhe të pandehurve të tjerë. Ata akuzohen për veprën penale “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “grup kriminal”. Në sallë, Beqaj ka kërkuar që të gjykohet me procedurën e gjykimit të zakonshëm, pasi kërkon të provojë pafajësinë.Ndërsa të pandehurit e tjerë, i qëndrojnë gjykimit të shkurtuar.

Gjatë seancës, Beqaj nuk ka kursyer akuzat ndaj trupës gjykuese, teksa  e ka cilësuar procesin politik dhe akuzën ndaj tij një farsë të sajuar pasi u rrëzuan dy pretendimet e Prokurorisë për shpërdori detyre dhe korrupsion.

Deklarata e Beqajt brenda seancës

Së pari, ju si gjyqtare e seancës paraprake e keni dëmtuar procesin e rregullt ligjor dhe të drejtat e mia procedurale në mënyrë të qëllimshme dhe të parekuperueshme. Unë dhe avokati im e kemi të pamundur që të mbrohemi efektivisht në mungesë të qëllimshme dhe të ripërsëritur të një vendimi të ndërmjetëm të arsyetuar për akuza të reja të bazuara në fakte të reja të pambështetura në asnjë provë. Ftesa juaj për t’u mbrojtur ndaj këtyre akuzave është fiktive dhe ka për qëllim që të mashtrojë procesin e rregullt ligjor a thua sikur ne na janë respektuar të drejtat tona procedurale dhe ne kemi qenë të qartë për akuzën. Por kjo nuk është e vërtetë. Ne nuk jemi të informuar qëllimisht nga ana juaj dhe madje as organi i akuzës nuk e ka kuptuar qartë vendimmarrjen tuaj. Jo vetëm unë, por as z. Klodian Rjepaj dhe z. Ilir Rrapaj, nuk mund të mbrohemi për akuza të pasqaruara, të pashkruara dhe që nuk do të shkruhen ndonjëherë, por do të thuhen edhe në themel me gojë, të pambështetura në ndonjë fakt në akuzë dhe të pambështetura në ndonjë provë konkrete.

Së dyti, ju keni qenë e ndikuar në këtë proces dhe vendimmarrja juaj e vërteton këtë. Ndikimi është dukshëm politik, konformist, personal dhe shoqëror. Vendimmarrjen tuaj e ka duartrokitur si z. Sali Berisha ashtu dhe znj. Albana Vokshi, sepse ju keni mbështetur akuzat e tyre politike. Ndërkohë, vendimmarrja juaj i shkon për shtat edhe vendimmarrjes së mëparshme të paligjshme të Gjyqtarit Erion Bani, paçka se çdo gjë tani është parashkruar. Ç’rëndësi ka nëse unë kam vjedhur apo jo. Në të vërtetë e rëndësishme është që PD të ketë tani gojë të pretendojë që unë jam hajdut, sepse deri më tani dhe shpërdorimi i detyrës nuk arrinte të mbante dot veten në këmbë.

Së treti, ju nuk i keni shërbyer aspak zbardhjes së plotë të së vërtetës, por keni dashur që të vërtetoni vetëm të vërtetën e paracaktuar nga ana juaj. Ju, ashtu si dhe organi i akuzës, vazhdoni ta ndani dhe copëtoni në mënyrë të pashpjegueshme fazën e lidhjes dhe zbatimit të kontratës si dy çështje të ndara, kur në thelb, po të lexoni akuzën, është më shumë se gjysma zbatim kontrate. Për ju nuk ka pikë rëndësie vërtetimi siç duhet, me apo pa ekspertizë, e dëmit, e ndonjë shifre, e numrit të operacioneve 50 apo 63 mijë, e burimit të shtimit të kostove (FSDKSH), e burimit të pagesave jashtë përcaktimeve kontraktore për energjinë dhe ujin (FSDKSH), e përfitimit të pallogaritshëm të këtij koncesioni në kursim, në përfitim financiar dhe shëndetësor (në jetë).

Së katërti, ju qartësisht shtruat rrugën për një ndarje artificiale të çështjes. Që ne të tre të qëndrojmë në Gjykatën e Posacme ndërsa të tjerët të shkojnë në Gjykatën e Zakonshme. Prandaj, vërtetohen apo jo akuzat për vjedhje dhe grup të strukturuar kriminal, pak rëndësi ka për ju. E rëndësishme është që çështjet të ndahen.

Së pesti, ju nuk keni asnjë ngurrim që ashtu si dhe gjyqtari Erjon Bani, të përfitoni sa të mundni personalisht dhe mediatikisht nga kjo çështje dhe nga emri im. Në popull ju doni të dilni si gjyqtarja që dhatë drejtësi. Që orientuat hetimet në shinat e duhura. Që zbuluat atë që prokurorët e fshehën. Në fakt, është e kundërta. Ju i prishet të gjitha. Me hetime, me proces e me akuza në mënyrë të paligjshme. Për të gjitha sa më sipër, unë nuk mbrohem dot, por vetëm mund të denoncoj.

KONTRATAT KONCENSIONARE – SHUMË PARA, PAK PËRFITIME

Shoqata Together For Life ka prodhuar disa raporte të fokusuara në monitorimin e eficencës së shpenzimeve publike në sektorin e shëndetësisë. Në të gjitha këto raporte është ngritur shqetësimi rreth nivelit të ulët të buxhetimit të sektorit të shëndetësisë dhe menaxhimit joefikas të fondeve të alokuara vit pas viti. Raportet janë ndalur në analizimin e koncesioneve të tipit PPP që janë aplikuar në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri, ku është  evidentuar mungesë e theksuar transparence dhe llogaridhënieje. TFL ka qenë ndër të parat që ka ngritur që në fillim shqetësimin, më pas të bazuar edhe në gjetjet e raporteve për problematikat e krijuara nga aplikimi i këtyre koncesioneve. Raportet kanë evidentuar se kontratat PPP janë lidhur pa studime të qarta fizibiliteti dhe analize kosto-përfitim për buxhetin dhe marrësit e shërbimit. Po ashtu shqetësues është konsideruar fakti që kompanitë koncesionare nuk janë ‘trazuar’ nga institucionet përgjegjëse gjatë implementimit të koncesioneve dhe disa prej kompanive nuk kanë dorëzuar bilancet financiare. Aplikimi i TVSH-së në kundërshtim me ligjin dhe pagesat për shërbime të pakryera, si në rastin e Check-Up dhe Dializës, përbëjnë shkelje serioze që kanë ngarkuar buxhetin publik.

Për më tepër, korrupsioni dhe shkeljet në prokurime janë klasifikuar si raste të nivelit të lartë nga Transparency International dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit. Raportet tregojnë manipulime në raportime, si në rastin e koncesionit të Sterilizimit, dhe favorizime të kompanive pa përvojë në sektor. Investimet e koncesionarëve janë minimale, duke përfaqësuar vetëm 9% të të ardhurave të tyre, ndërsa përfitimet e tyre janë të mëdha.

Mungesa e strukturave për monitorimin e kontratave dhe kanalizimi i fondeve publike në shërbime jo prioritare kanë dëmtuar financat e sektorit të shëndetësisë. PPP-të përbëjnë një barrë të rëndë për buxhetin publik, duke marrë një pjesë të madhe të fondeve që mund të ishin përdorur për shërbime prioritare dhe investime në infrastrukturë shëndetësore. Këto problematika theksojnë domosdoshmërinë për reforma të thella në menaxhimin dhe mbikëqyrjen e PPP-ve në sektorin e shëndetësisë.

Një nga gjetjet e raportit “Kostoja totale e buxhetit të Shëndetësisë për mbulimin e pagesave të planifikura për kontratat koncensionre” evidenton se dëmi i pjesshëm ekonomik nga koncesionet në shëndetësi  shkaktuar deri në fund të vitit 2021 bazuar në të dhënat e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe nga Ministrisë së Financave arrin në rreth 5,6 miliardë lekë ose 47.5 milionë euro. Kjo shumë është sa 25% e shumës totale të akorduar gjithsej për këto koncesione deri në fund të vitit  2022 (projeksion). Shuma prej 47,5 milionë eurosh do të ishte e mjaftueshme për ndërtimin e një spitali të ri.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re