Gjykata e Posaçme ka kërkuar nga SPAK të zgjerojë hetimet lidhur me aferën korruptive mbi koncesionin e sterilizimit. GJKKO ka kërkuar që hetimet të përfshijnë edhe Shkëlqim Canin, ish-ministrin e Financave.

 

Gjithashtu GJKKO kërkon që ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj t’i nënshtrohet sërish hetimit nga SPAK, pasi ka indicie se mund të ketë konsumuar edhe veprën penale të pastrimit të parave.

 

Gjyqtari Erion Bani arsyeton se vendimi për dhënien e koncesionit është marrë me 17 tetor, 2 muaj e gjysmë perpara se të mbahej mbledhja më 18 dhjetor.

 

…”. Pra, në rastin konkret, ish Ministri i Financave z. Sh. C. ka ndihmuar në realizimin e qëllimit kriminal të personit nën hetim I.B. dhe vartësve të tij (personat nën hetim në të njëjtin procedim) për vijim e dhënies së konçesionit të sterilizimit në kundërshtim me ligjin fituesve të paracaktuar. Në rastin konkret personi nën hetim I.B. ka shërbyer si shtytës ndërsa z.Sh. C. në rolin e ndihmësit”, thuhet në dosjen GJKKO.

 

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj është lënë në masën e sigurisë detyrim paraqitje dhe nuk i lejohet të largohet nga vendi.

 

 

Pjesë nga dosja:

 

“Nga analiza e të gjitha provave të para në unitetin e tyre, Gjykata çmon se ish Ministri i Shëndetësisë z. I.B.në bashkëpunim me personin nën hetim K.R. e kishin marrë vendimin për dhënin e shërbimit të sterilizimin me konçesion si dhe kishin përzgjedhur paraprakisht se kush do të fitonte këtë konçesion që ishte personi nën hetim I.R. dhe shtetasi italian U.S., duke filluar përgatitjet për këtë qëllim që në vitin 2013 dhe finalizuar në muajin Dhjetor 2015 me nënshkrimin e Kontratës së Konҫesionit. Kjo është arsyeja pse nga ish Ministri i Shëndetësisë z. I.B. nuk është marrë asnjë masë për vënien në funksionim të Repartit të Sterelizimit Qendror të QSUT, i cili kishte pajisje moderne dhe me një kapacitet sterilizues mbi dyfishin e nevojave të saj, duke mos i’u përgjigjur kështu asnjëherë shkresës Nr. 1106 Prot., datë 27.02.2014 të Drejtorit të Përgjithshëm të QSUT. Gjykata ҫmon se personi nën hetim I.B. në këtë ҫështja shfaqet në rolin e organizatorit dhe e koordion veprimtarinë e paligjshme të dhënies me konҫesion duke ngarkuar personat e tij të besuar kryesuar nga personi nën hetim K.R., i cili dhe me komunikimet me email i drejtohet Ministrit në emrin tij “I.”, duke provuar kështu dhe marrëdhëniet e tyre të ngushtë shoqërore midis tyre”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re