Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj do të merret në pyetje nga Gjykata e Posaçme me datë 20 nëntor, në ora 12:00. Ai është nën hetim për skandalin e koncesionit të sterilizimit, ndërsa këtë të shtunë ndaj tij u caktua masa e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “moslejim dalje nga vendi”.

 

“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 18.11.2023 ka paraqitur përpara Gjykatës kërkesën me objekt: Marrjen në pyetje të personin hetim I.B.

Bazuar në nenin 248 të K.Pr.Penale seanca gjyqësore për zhvillimin e seancës gjyqësore për verifikimin e kushteve të zbatimit të masës dhe marrjen në pyetje të personit nën hetim I.B do të zhvillohet më datë 20.11.2023 ora 12:00”, thuhet në njoftim.

 

Ilir Beqaj zyrtarisht është i proceduar nga drejtësia nën akuzën e shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim.

 

Ky vendim është dhënë pas dosjes së hetuar prej të paktën 3 vitesh nga SPAK në lidhje me çështjen e bujshme të dyshuar si korruptive të sterilizimit të pajisjeve mjekësore.

 

Vendimi i gjykatës së Posaçme është ekzekutuar ditën e premte nga Byroja Kombëtare e Hetimit dhe policia. Sipas këtij vendimi, Ilir Beqaj do të paraqitet çdo të premte në ambientet e BKH në orën 15:30. Ndaj tij togat e zeza kanë vendosur edhe masën e bllokimit të pasaportës dhe mjeteve të tjera identifikuese duke i penguar daljen jashtë territorit të vendit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re