Subscribe

Ilir Beqaj, ish-ministër i Shëndetësisë, zyrtarisht është i proceduar nga drejtësia nën akuzën e shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim. Gjykata e Posaçme në datën 16 nëntor, ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë ‘detyrim paraqitje’.

 

Ky vendim është dhënë pas dosjes së hetuar prej të paktën 3 vitesh nga SPAK në lidhje me çështjen e bujshme të dyshuar si korruptive të sterilizimit të pajisjeve mjekësore.

 

Vendimi i gjykatës së Posaçme është ekzekutuar ditën e premte nga Byroja Kombëtare e Hetimit dhe policia. Sipas këtij vendimi, Ilir Beqaj do të paraqitet çdo të premte në ambientet e BKH në orën 15:30. Ndaj tij togat e zeza kanë vendosur edhe masën e bllokimit të pasaportës dhe mjeteve të tjera identifikuese duke i penguar daljen jashtë territorit të vendit.

 

Menjëherë pas këtij vendimi Beqaj është dorëhequr nga drejtimi i Agjencisë Shtetërore të Programit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, post që e mbante prej vitit 2021, ndërkohë ka dhënë dorëheqjen edhe nga grupi negociator për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, ku gjithashtu bënte pjesë.

 

Ish-ministri i Shëndetësisë akuzohet nga SPAK për shpërdorim detyre për tenderin e sterilizimit.  Në lidhje me këtë dosje, SPAK në gusht të këtij viti dha edhe 8 masa të tjera, ku në mesin e tyre ishte ajo e arrestit të ish-zv/ministri Klodian Rjepaj dhe biznesmenit Ilir Rrapaj. Ish-zëvendësministri akuzohet për “falsifikimi të dokumenteve” dhe “shpërdorimi detyrës”, ndërsa biznesmeni Rrapaj për “mashtrim me pasoja të rënda”.

 

Pak ditë më parë Apeli i Posaçëm rrëzoi kërkesën për lirim nga burgu të tyre duke i lënë në qeli. Ilir Beqaj, ish/zëvendësi i tij Klodian Rjepaj, biznesmeni Ilir Rrapaj si dhe 6 ish-zyrtarë te tjerë të Ministrisë së Shëndetësisë janë nën hetim për tenderin e koncesionit të sterilizimit me vlerë 100 milion euro.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re