Forcat Ajrore Turke janë tërhequr nga një stërvitje ushtarake ndërkombëtare që do të mbahet në Greqi në maj, thanë të shtunën burime turke të sigurisë.

Stërvitja ushtarake “Tiger Meet”, e cila organizohet çdo vit nga një shoqatë që mbledh forca të ndryshme ajrore të NATO-s, është planifikuar për këtë vit në Athinë, nga data 9 deri më 20 maj.

Sipas burimeve turke të sigurisë, ishte planifikuar që elementë të flotës 192 të stacionuar në Komandën e Bazës së 9-të Ajrore kryesore në Balikesir të merrnin pjesë në stërvitje me pjesëmarrjen e vendeve aleate, raporton agjencia Anatolia.

Pala turke pretendon se Greqia, e cila përgatiti tekstin e këtij viti të rregulloreve teknike, i cili përgatitet nga vendi pritës për të kryer aktivitete para çdo stërvitje, më pas ka bërë shtesa në dokument me një qasje që synon Turqinë dhe shfrytëzon mosmarrëveshjet mes dy vendeve.

Komanda e Forcave Ajrore ka marrë masa ndaj këtyre shtesave të qëllimshme dhe ka kërkuar ndryshimin e rregullores teknike që përmban elementë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Pala greke nuk i pranoi kërkesat këmbëngulëse të Turqisë.

Për këtë arsye, Turqia vendosi të mos marrë pjesë në stërvitje, duke shpjeguar se “Greqia manipuloi aktivitetin e ‘Tiger Meet’ në përputhje me interesat e saj politike”.

Ankaraja ka njoftuar autoritetet greke për këtë vendim më 22 prill.

Greqia dhe Turqia, aleatë të NATO-s, por rivalë rajonalë në Mesdheun lindor, akuzojnë rregullisht njëra-tjetrën për shkelje të hapësirës ajrore.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re