Pas mbledhjes së qeverisë, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi foli për stërvitjen ushtarake serbe në kufi me Kosovën.
Ai theksoi se Shqipëria i ka të gjitha politikat e sigurisë në përputhje me aleancën ushtarake NATO.
Më tej, ministri shtoi se Kosova është e mbrojtur nga KFOR, duke reduktuar çdo perceptim të rrezikut për vendin tonë.
“Serbia i mitigon të gjitha rreziqet që i pretendon si të sajat, në përputhje me dokumentet e veta strategjike. Shqipëria politikat e strategjisë i ka në përputhje me aleancën ku bën pjesë, aleancën ushtarake të NATO-s, më e forta në botë. E gjithë doktrina dhe përgatitja është në përputhje me NATO-n dhe siguria e qytetarëve shqiptarë, por edhe e Kosovës, për sa kohë kemi atje një forcë të mandatuar si KFOR. Shqetësimet që mund të perceptohen përmes mediave, publikimeve apo replikave në rajon, në Shqipëri përkthehen në një qasje që është në koordinim me aleancën dhe partnerët; kjo na bën të ndihemi të sigurt për sa kohë që ne përmbushim detyrat tona kundrejt Aleancës”, tha Nufi.
Ushtria serbe zhvilloi në orët e para të mëngjesit të së mërkurës një stërvitje ushtarake të pazakontë pranë vijës kufitare me Kosovën.
Gjatë stërvitjes, gjashtë parashutistë u hodhën nga një helikopter mbi zonën e Breznicës në Bujanoc ndërsa një tjetër helikopter fluturoi drejt Muhovcit në pot ë njëjtën komunë, ku u lëshuan parashutistë të tjerë.
Sipas burimeve nga policia kufitare e Kosovës, dy helikopterët fluturuan përgjatë kufirit, por një banor i zonës u shpreh për agjencinë e lajmeve Kosova Press se mjetet kishin hyrë edhe në territorin e Kosovës.
Forcat policore të Kosovës ndërkohë theksuan se një aktivitet I tillë pranë kufirit nuk ishte zhvilluar kurrë më parë.



