Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se KFOR-i është i gatshëm të ndërhyjë në Kosovë, nëse kërcënohet stabiliteti, duke iu referuar mandateve që ka nga OKB-ja, pas tensioneve shumë të larta mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kam biseduar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për tensionet në veri të Kosovës. Të gjitha palët duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga BE dhe të zgjidhin dallimet përmes diplomacisë. NATO dhe KFOR janë të gatshëm të ndërhyjnë nëse kërcënohet stabiliteti, bazuar në mandatin e tyre në OKB”, shkroi Stoltenberg në Tëitter.

Të dielën, presidenti serb Vuçiç i bëri thirrje Kosovës dhe vendeve perëndimore që mbështesin Prishtinën që të “vijnë në vete” në mënyrë që të shmangen konfliktet e mundshme pas vendimeve administrative të qeverisë së Kosovës, të cilat Beogradi i konteston dhe që Prishtina i sheh si shprehje të sovranitetit.

Masat reciproke

Kosova planifikoi të vendosë ndalimin e hyrjes në territorin e saj për personat me letërnjoftime serbe dhe në vend të kësaj të lëshojë një “dokument hyrje-dalje” tre mujore, duke filluar nga 1 gushti, por një vendim i tillë u zgjat.

Njëherësh, ishte dhe vendimi për ndalimin e përdorimit të targave KM (Kosovska Mitrovica) të lëshuara në Serbi për qytetet në veri të Kosovës.

Këto janë masa reciproke, sepse për 11 vite Serbia nuk u ka lejuar shtetasve të Kosovës hyrjen me dokumente të Kosovës, por u jep atyre leje të veçanta.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re