Skip to content

Stoltenberg: Lufta në Ukrainë, momenti më i rrezikshëm që nga Lufta e Dytë Botërore

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se nuk duhet të lejohet që Rusia ta fitojë luftën që ka nisur kundër Ukrainës. Ai tha se kjo luftë ka krijuar momentin më të rrezikshëm në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

 

Duke folur nga Norvegjia më 4 gusht, Stoltenberg tha se aleancës dhe shteteve anëtare ndoshta do t’iu duhet të vazhdojnë ta mbështesin Ukrainën me armë dhe ndihmë tjetër për një kohë të gjatë, në mënyrë që Rusia të mos ketë sukses në pushtimin e paprovokuar kundër Ukrainës që e nisi më 24 shkurt.

 

“Është në interesin tonë që ky lloj i politikës së agresionit të mos ketë sukses”, tha Stoltenberg.

 

“Kjo është situata më e rrezikshme në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore”, tha ai dhe shtoi se “çfarë po ndodh në Ukrainë është e tmerrshme, por situata do të ishte edhe më e keqe nëse do të kishte një luftë midis Rusisë dhe NATO-s”.

 

Stoltenberg edhe një herë përsëriti qëndrimi se aleanca është e vendosur që të mbrojë të 30 shtetet anëtare.

 

“Nëse presidenti [rus, Vladimir] Putin nëse mendon të bëjë diçka të ngjashme ndaj një shteti të NATO-s, siç ka vepruar kundër Gjeorgjisë, Moldavisë apo edhe ndaj Ukrainës, atëherë të gjitha shtetet e NATO-s do të përfshiheshin menjëherë”, tha Stoltenberg.

 

Lufta në Ukrainë më herët ka shtyrë Finlandën dhe Suedinë të kërkojnë anëtarësim në NATO. Deri më tani, 23 nga 30 shtetet anëtare kanë ratifikuar kërkesën për anëtarësimin e këtyre dy shteteve në aleancë, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

 

“Ky nuk është vetëm një sulm ndaj Ukrainës, një shteti të pavarur dhe demokratik me mbi 40 milionë banorë, por po ashtu është sulm ndaj vlerave tona dhe rregullit botëror që ne duam”, tha shefi i NATO-s.

Pas pushtimi rus të Ukrainës, Finlanda dhe Suedia – dy shtete tradicionalisht neutrale – aplikuan për anëtarësim në NATO.

 

Përmes një procesi të përshpejtuar, Senati amerikan votoi më 3 gusht në favor të anëtarësimit të këtyre dy shteteve në aleancë. Deri më tani, 23 shtete anëtare kanë ratifikuar kërkesën e këtyre dy shteteve nordike.

 

Turqia kishte kundërshtuar anëtarësimin e Helsinkit dhe Stokholmit në aleancë, duke thënë se këto dy shtete strehojnë kundërshtarë të Qeverisë turke, që Ankaraja i cilëson si “terroristë”. Por, më pas Turqia u pajtua që të krijohej një komitet i posaçëm dhe zyrtarët e Finlandës, Suedisë dhe Turqisë do të takohen gjatë këtij muaji për të parë nëse këto dy shtete aspiruese kanë plotësuar kushtet e paraqitura nga Ankaraja.

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë