Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke theksuar se Turqia është një aleat i vlefshëm i NATO-s, tha se i përgëzon përpjekjet diplomatike që Turqia ka ndërmarrë për t‘i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë.

I ndodhur në Turqi për Forumin e Diplomacisë në Antalya në të cilën Andaolu Agency (AA) është Partner Global i Komunikimit, Stoltenberg zhvilloi një intervistë për AA.

“Turqia është një aleat shumë i vlefshëm i NATO-s. Turqia kontribuon në mbrojtjen kolektive të NATO-s në mënyra të ndryshme”, tha Stoltenberg, i cili shtoi se Turqia në të njëjtën kohë luan një rol kyç në luftën kundër terrorizmit dhe ndodhet në një pozicion strategjik.

Stoltenberg vuri në dukje se Turqia ka dhënë kontribute shumë të rëndësishme në misionet e NATO-s, si në Kosovë dhe Irak, si dhe ka marrë pjesë në misionet e NATO-s duke dërguar në shumë rajone të tjera avionë dhe anije. Më tej Stoltenberg tha se e ka telefonuar presidentin Recep Tayyip Erdoğan dhe i ka përcjellë përgëzimet me rastin e 70-vjetorit të anëtarësimit të Turqisë në NATO.

– “Përgëzoj përpjekjet diplomatike të Turqisë”

Duke e cilësuar sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës si të padrejtë dhe të panevojshëm, Stoltenberg theksoi se në Evropë po ndodh një mizori e paparë që nga Lufta e Dytë Botërore.

“I bëjmë thirrje presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, që t’i japë fund luftës, të tërheqë forcat dhe të ndërmarrë përpjekje diplomatike”, deklaroi Stoltenberg.

Më tej Stoltenberg iu referua takimit që u zhvillua dje në kuadrin e Forumit Diplomatik në Antalya mes ministrit të jashtëm rus Sergey Lavrov dhe ministrit të jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba. “I përgëzoj përpjekjet e Turqisë për të lehtësur proceset diplomatike dhe politike të cilat mund të shkojnë në një zgjidhje paqësore”, tha Stoltenberg.

– Do të vazhdojë mbështetja për Ukrainën

NATO ka shfaqur unitet kundër Rusisë dhe shumë vende të NATO-s zbatojnë sanksione të rënda ndaj Rusisë, rikujtoi Stoltenberg, duke theksuar se mbështetja e tyre për Ukrainën do të vazhdojë.

Stoltenberg tha se aleatët e NATO-s që nga viti 2014 e deri më tani kanë trajnuar ushtrinë e Ukrainës dhe se kohët e fundit kjo është përshpejtuar.

NATO në të njëjtën kohë ka përgjegjësi kryesore ruajtjen dhe mbrojtjen e aleatëve të saj, u shpreh Stoltenberg, duke shtuar se kanë forcuar praninë e tyre në lindje të aleancës me 30 anëtarë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re