Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka përshëndetur vendimin e Türkiyes për të vazhduar përpara me aplikimin e Finlandës për anëtarësim në NATO, transmeton Anadolu.

“Unë mirëpres vendimin e sotëm të Türkiyes për të vazhduar përpara me ratifikimin e anëtarësimit të Finlandës në NATO. Kjo do të forcojë sigurinë e Finlandës, do të forcojë sigurinë e Suedisë dhe do të forcojë sigurinë e NATO-s. Shpresoj që Asambleja e Madhe Kombëtare e Türkiyes do të votojë sa më parë për ratifikimin”, tha Stoltenberg.

Shefi i NATO-s tha se lëvizja e Ankarasë do ta bëjë aleancën “më të fortë dhe më të sigurt në një kohë kritike”.

Në takimin e javës së kaluar midis Türkiyes, Finlandës dhe Suedisë në selinë e NATO-s në Bruksel, tha Stoltenberg, të gjitha palët “pranuan se është bërë përparim i konsiderueshëm në zbatimin e memorandumit trepalësh të nënshkruar në Madrid dhe se ratifikimi i shpejt për Finlandën dhe Suedinë është në interesin e të gjithëve”.

“Gjëja më e rëndësishme është që Finlanda dhe Suedia të bëhen anëtare të plota të NATO-s sa më parë, jo nëse anëtarësohen saktësisht në të njëjtën kohë”, tha Stoltenberg.

Deklarata e tij vjen menjëherë pasi presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, njoftoi se Türkiye do të fillojë procesin e ratifikimit të anëtarësimit të Finlandës në NATO në parlamentin e saj.

“NATO do të bëhet më e fuqishme me anëtarësimin e Finlandës dhe besoj se do të luajë një rol aktiv në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit global”, tha presidenti Erdoğan në një konferencë të përbashkët për media në Ankara me homologun e tij finlandez, Sauli Niinisto.

Ai tha se Türkiye do të vazhdojë bisedimet me Suedinë “në bazë të parimeve të aleancës dhe qasjes sonë në luftën kundër terrorizmit”.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re