Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se pranimi i Finlandës dhe Suedisë në aleancë pritet të jetë “paprecedentë i shpejtë, brenda pak javësh”.

Duke iu përgjigjur pyetjes së AA-së në prag të Samitit të NATO-s në Madrid nëse Turqia, Finlanda dhe Suedia kanë përcaktuar një kalendar pas nënshkrimit të memorandumit dje, Stoltenberg tha: “Epo, Finlanda dhe Suedia tashmë kanë ndërmarrë hapa për të shtrënguar legjislacionin e tyre mbi terrorizmin. Pra, kjo është diçka që tashmë ka filluar të zbatohet”.

“Unë mendoj se kjo marrëveshje është jashtëzakonisht e rëndësishme sepse pasqyron angazhimin që ne duhet të qëndrojmë së bashku si aleatë për të adresuar të gjitha shqetësimet tona të sigurisë, natyrisht duke përfshirë edhe luftën kundër terrorizmit”, shtoi ai.

Memorandumi u lejon dy vendeve nordike të bëhen anëtarë të NATO-s, por i kushtëzon ato të ndërmarrin hapa për shqetësimet e Turqisë për terrorizmin dhe të heqin embargon e armëve ndaj Ankarasë.

Memorandumi gjithashtu thekson se Finlanda dhe Suedia do të punojnë ngushtë me Türkiye-n për çështjet që lidhen me shkëmbimin e informacionit, ekstradimin dhe në përgjithësi luftën kundër terrorizmit.

Stoltenberg theksoi se NATO do të merr një vendim gjatë ditës për të ftuar vendet nordike të bëhen anëtarë dhe shtoi se procesi i pranimit do të jetë “paprecedentë i shpejtë”.

Ndonëse do të ketë një proces ratifikimi në 30 parlamente të vendeve anëtarë, Stoltenberg tha se nuk mund të premtojë por pret që procesi të përfundojë brenda “pak javësh”.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re