Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg paralajmëroi sot për deklaratat që minojnë sigurinë pas fjalëve të Donald Trump, i cili përmendi mundësinë që ai të mos mbrojë më vendet e Aleancës, kontributet financiare të të cilave për organizatën janë të pamjaftueshme.

“Çdo sulm ndaj NATO-s do të përballet me një përgjigje të bashkuar dhe të fuqishme. Çdo sugjerim se aleatët nuk do të mbrojnë njëri-tjetrin minon të gjithë sigurinë tonë, duke përfshirë atë të SHBA-së dhe i vë ushtarët amerikanë dhe evropianë në rrezik të shtuar”,  tha Stoltenberg në një deklaratë.

Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha në një deklaratë në Karolinën e Jugut mbrëmë se ai do të “inkurajojë” Rusinë në rast se ajo sulmon një anëtar të NATO-s që nuk paguan faturat e saj brenda kësaj aleance ushtarake perëndimore.

Ai tregoi në tubim se si i tha një udhëheqësi të NATO-s se nuk do të mbronte një komb që vonohet me pagesa nëse sulmohet nga Rusia dhe se do t’i “inkurajojë të bëjnë çfarë të duan”.

Trump është favorit për t’u emëruar si kandidat presidencial republikan në zgjedhjet amerikane të nëntorit.

Sipas nenit 5 të Kartës së NATO-s, anëtarët marrin përsipër të mbrojnë çdo komb në bllok që sulmohet. /

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re