Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg deklaroi se Rusia e ka humbur përgjithmonë Ukrainën, ndaj nuk do të mundet të arrijë objektivin e saj edhe pse lufta vijon. Ai theksoi se lufta është një humbje e madhe strategjike për Rusinë.

“Rusia e ka humbur Ukrainën përgjithmonë për shkak të luftës dhe nuk do të jetë në gjendje të arrijë qëllimet e saj të luftës, pavarësisht përpjekjeve masive ushtarake që ka bërë që kur pushtoi vendin shkurtin e kaluar”, tha ai.

Por Stoltenberg paralajmëroi se bota nuk duhet të presë në një fund të shpejtë të luftës, duke thënë se nuk ka asnjë tregues se Putini do të ndryshojë qëndrim, edhe pas rizgjedhjes së tij të pritshme në presidencën ruse më 17 mars.

“Ukrainasit kanë treguar se mund të mbrohen, mund të luftojnë për aq kohë sa është e nevojshme, veçanërisht kur marrin armë nga Gjermania dhe shumë aleatë të tjerë të NATO-s”, shtoi ai.

Lidhur me qëndrimin e SHBA për paketat e ndihmës ndaj Ukrainës, ai u shpreh se është i bindur se kushdo që do të jetë në krye të Shtëpisë së Bardhë nuk do të ndalojë mbështetjen ndaj popullit ukrainas.//

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re