Suedia ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të përmbushur kërkesat e Turqisë për të miratuar anëtarësimin e Stokholmit në NATO, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg gjatë një vizite në Suedi të hënën.

Suedia dhe Finlanda aplikuan për t’u bashkuar me Aleancën muajin e kaluar në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës.

Por kërkesat e tyre kanë hasur në kundërshtimin e papritur nga Turqia, e cila është e zemëruar për atë që pretendon se është mbështetja suedeze për forcat kurde dhe një vendim i mëparshëm për të tërhequr licencat e eksportit të armëve në Turqi.

“Unë e mirëpres faktin që Suedia ka filluar tashmë të ndryshojë legjislacionin e saj kundër terrorizmit dhe do të garantojë që kuadri ligjor për eksportet e armëve do të jetë në përputhje me statusin e ardhshëm të vendit si anëtare e NATO-s, me angazhime të reja ndaj aleatëve,” tha Stoltenberg në një konferencë për shtyp të mbajtur së bashku me kryeministren suedeze Magdalena Andersson.

“Këta janë dy hapa të rëndësishëm të nevojshëm për të larguar shqetësimet e Turqisë.”

Andersson tha se Suedia kishte ndryshuar ligjet e saj për terrorizmin dhe se një proces i masave të mëtejshme shtrënguese ishte duke u zhvilluar.

“Nga 1 korriku do të kemi kritere më të rrepta në legjislacion sa i përket luftës kundër terrorizmit. Pra, Suedia është e gatshme të kontribuojë në luftën kundër terrorizmit”, tha ajo.

Suedia i merr “shumë seriozisht” shqetësimet e Turqisë në lidhje me kërkesat e Suedisë dhe Finlandës për t’u bashkuar me NATO-n, tha Andersson.

Stoltenberg tha se qëllimi përfundimtar është pranimi i Suedisë dhe Finlandës në NATO “sa më shpejt të jetë e mundur” dhe se është e paimagjinueshme që aleatët e NATO-s të mos qëndronin në mbrojtje të Suedisë nëse ai vend sulmohej.

Të gjitha aplikimet për anëtarësim në NATO duhet të pranohen unanimisht në Aleancën prej 30 anëtarësh.

Në fund të majit, Turqia priti konsultime në Ankara me delegacionet suedeze dhe finlandeze mbi kandidaturat e tyre për anëtarësimin në NATO.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha në atë kohë se takimet nuk ishin “në nivelin e dëshiruar”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re