Thomas Strakosha festoi të dielën 100 ndeshjet me fanelën e Lacios në Serinë A, duke ruajtur portën të paprekur në fitoren 4-0 kundër Genoas.

Portieri i përfaqësueses shqiptare ka shënuar këtë shifër jubilare, duke qenë sërish autor i një paraqitje të shkëlqyer.

Portieri i skuadrës bardhekaltër dhe i Shqipërisë mori komplimentat edhe nga mediat. Teksa nuk nguroi edhe të shprehet se ende ka vend për përmirësim, deri në ditën kur të varë dorezat në gozhdë.

“Unë mund të rritem ende në të gjitha aspektet deri ditën kur të tërhiqem .

Askush nuk mund të mos përmirësohet… Shikoni Bufon si po luan, në moshën 42-vjeçare. Unë jam i qetë dhe stërvitem si duhet me përgatitësit e mi. Duhet të mbetem i përqendruar dhe të punoj ditë pas dite”.

Gjithashtu, Strakosha bëri edhe një analizë të ndeshjes së fituar përballë Xhenoas, duke u shprehur i kënaqur me atë që bëri skuadra e tij.

“Ndihem tepër i gëzuar, përderisa sipas meje kemi dominuar dhe kemi riskuar pak. Ia dolëm të bënim mirë dhe nuk i kemi lejuar shumë fushë Xhenoas. Ishim të zotët për të mbyllur ndeshjen. Mbi të gjitha ishim të përqendruar dhe kjo është e rëndësishme.

Zotërojmë cilësitë e duhura dhe këtë e dimë. Ndonjëherë e humbasim përqendrimin dhe i bëjmë keq vetes, por fatmirësisht, këtë radhë nuk ndodhi”, përfundoi portieri shqiptar i Lacios.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re