Ministri i Financave, Ervin Mete është shprehur se inovacioni dhe digjitalizimi në sektorin financiar i shërben zhvillimit të ekonomisë.

Në një takim me përfaqësuesit e sistemit financiar, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, ministri Mete u shpreh se ka modele të avancimit dhe të përfshirjes financiare të qytetarëve në sektorin bankar.

Ai theksoi se edukimi financiar, nëse bëhet siç duhet, është një ndihmues dhe komponent i rëndësishëm.

“Në eksperiencën time jo të largët, ne kemi aplikuar, në bashkëpunim edhe me sektorin bankar, disa zgjidhje që ishin inovative, shkonin drejt aplikimit të fintech dhe iu shërbenin jo vetëm sektorit, por edhe qytetarëve. Kam parasysh këtu aplikimin e një platforme që ndërlidhte sistemin tonë të blerjes së titujve me një nga 3 platformat kryesore në Europë që krijonte akses në bursat ndërkombëtare në bashkëpunim me bankat.

Me një bankë tjetër autorizuam një platformë për tregtinë online të titujve të qeverisë, që është një nga elementët kyç edhe të likuiditetit të tregut të letrave qeveritare. Mundësuam që fonde të investimeve të licencuara në BE të mund të distribuohen, apo tregtohen në Shqipëri thjesht me një njohje licence, pra pa u licencuar nga e para. Pra, inovacioni, digjitalizimi dhe përfshirja e sektorit i shërben jo vetëm tregut financiar, por edhe ekonomisë dhe më gjerë thellimit të tregut.

Ka modele të avancimit dhe të përfshirjes financiare të qytetarëve në sektorin bankar, e duke theksuar këtu edhe edukimin financiar që në vetvete, nëse bëhet siç duhet, është një ndihmues dhe komponent i rëndësishëm edhe i përfshirjes më të gjerë nëpërmjet përdorimit të fintech”, tha ministri Mete.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re