Hepatiti është një inflamacion i mëlçisë që shkaktohet nga një sërë virusesh infektive dhe agjentë joinfektivë që çojnë në një sërë problemesh shëndetësore, disa prej të cilave mund të jenë fatale. Ekzistojnë pesë lloje kryesore të virusit të hepatitit, të njohura si tipet A, B, C, D dhe E. Ndërsa të gjitha shkaktojnë sëmundje të mëlçisë, ato ndryshojnë në mënyra të rëndësishme duke përfshirë mënyrat e transmetimit, ashpërsinë e sëmundjes, shpërndarjen gjeografike dhe metodat e parandalimit. Në veçanti, llojet B dhe C çojnë në sëmundje kronike në qindra miliona njerëz dhe së bashku janë shkaku më i zakonshëm i cirrozës së mëlçisë, kancerit të mëlçisë dhe vdekjeve të lidhura me hepatitin viral. Rreth 354 milionë persona në mbarë botën jetojnë me hepatit B ose C dhe për shumicën, testimi dhe trajtimi mbeten të paarritshme.

Disa tipe të hepatitit janë të parandalueshme përmes vaksinimit. Një studim i OBSH-së zbuloi se deri në vitin 2030 rreth 4.5 milion vdekje të parakoshme në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme mund të parandalohen përmes vaksinimit, testeve diagnostikuese, ilaçeve dhe fushatave edukuese. Strategjia globale e OBSH për hepatitin, e miratuar nga të gjitha shtetet anëtare të OBSH-së, synon të reduktojë infeksionet e reja të hepatitit me 90% dhe vdekjet me 65% përgjatë periudhës 2016 – 2030.

Simptomat:

Shumë persona me hepatit A, B, C, D ose E shfaqin vetëm simptoma të lehta ose nuk shfaqin asnjë simptomë. Megjithatë, çdo formë e virusit mund të shkaktojë simptoma më të ashpra. Simptomat e hepatitit A, B dhe C mund të përfshijnë ethe, gjendje pafuqie, humbje oreksi, diarre, të përziera, dhimbje apo parehati abdominale, urinë me ngjyrë të errët dhe verdhëz ( një zverdhje e lëkurës dhe të bardhës së syrit). Në disa raste, virusi mund gjithashtu të shkaktojë infeksion kronik që më pas mund të shndërrohet në cirrozë (çikatriçe ose fibrozë të mëlçisë). Këta pacientë janë në rrezik vdekjeje.

Hepatiti D (HDV) gjendet vetëm tek njerëzit e infektuar tashmë me hepatitin B (HBV); megjithatë, infeksioni i dyfishtë i HBV dhe HDV mund të shkaktojë një infeksion më serioz dhe gjendje më të dobët shëndetësore, duke përfshirë përparimin e përshpejtuar në cirrozë. Zhvillimi i hepatitit D kronik është i rrallë.

Hepatiti E (HEV) fillon me temperaturë të lehtë, ulje të oreksit, të përziera dhe të vjella që zgjasin për disa ditë. Disa persona mund të kenë gjithashtu dhimbje barku, kruajtje (pa lezione të lëkurës), skuqje të lëkurës ose dhimbje kyçesh. Ata gjithashtu mund të shfaqin verdhëz, me urinë të errët dhe jashtëqitje të zbehtë, dhe një mëlçi pak të zmadhuar, të butë (hepatomegali) ose herë pas here dështim akut të mëlçisë.

 

Trajtimi:

  • Vaksinat e sigurta dhe efektive për të parandaluar virusin e hepatitit B (HBV) janë të disponueshme. Vaksina gjithashtu parandalon zhvillimin e virusit të hepatitit D (HDV) dhe e kryer në lindje mund të reduktojë rrezikun për transmetimin nga nëna te fëmija. Infeksioni kronik i hepatitit B mund të trajtohet me agjentë antiviralë. Trajtimi mund të ngadalësojë progresin e cirrozës, të ulë incidencën e kancerit të mëlçisë dhe të përmirësojë jetesën afatgjatë. Vetëm një pjesë e njerëzve me infeksion kronik të hepatitit B do të kërkojnë trajtim. Ekziston edhe një vaksinë për të parandaluar infeksionet e hepatitit E (HEV), megjithëse aktualisht nuk është gjerësisht e disponueshme. Nuk ka trajtime specifike për HBV dhe HEV dhe shtrimi në spital zakonisht nuk kërkohet. Këshillohet që të shmangen medikamentet e panevojshme për shkak të efektit negativ në funksionin e mëlçisë të shkaktuar nga këto infeksione.

 

  • Hepatiti C (HCV) mund të shkaktojë infeksion akut dhe kronik. Disa njerëz shërohen vetë, ndërsa të tjerë zhvillojnë një infeksion kërcënues për jetën ose komplikime të mëtejshme, duke përfshirë cirrozën ose kancerin. Nuk ka vaksinë për hepatitin C. Ilaçet antivirale mund të kurojnë më shumë se 95% të personave me infeksion të hepatitit C, duke reduktuar kështu rrezikun e vdekjes nga cirroza dhe kanceri i mëlçisë, por aksesi në diagnostikim dhe trajtim mbetet i ulët.

 

  • Virusi i hepatitit A (HAV) është më i zakonshmi në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme për shkak të aksesit të reduktuar në burime të ujit të pastër dhe të besueshëm dhe rritjes së rrezikut të ushqimit të ndotur. Ekziston një vaksinë e sigurt dhe efektive për të parandaluar hepatitin A. Shumica e infeksioneve HAV janë të lehta dhe pjesa më e madhe e personave që e përjetojnë shërohen plotësisht dhe zhvillojnë imunitet ndaj infeksioneve të mëtejshme. Megjithatë, këto infeksione, edhe psë rrallëherë, mund të jenë të rënda dhe kërcënuese për jetën për shkak të rrezikut të dështimit të mëlçisë.

 

Përshtati në shqip: Redina Çanaku

Burimi: https://www.who.int/health-topics/hepatitis#tab=tab_1

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re