Kryeprokurori Olsian Çela ka folur në konferencën ku u prezantua ‘Strategjia Për Mbrojtjen e Viktimave 2024-2030’.

Çela tha se strategjia është ambicioze, por tha se duhet impenjim për t’u konkretizuar, ndërsa renditi një sërë sfidash me të cilat mund të përballen.

Kryeprokurori tha gjithashti se qëllimet dhe synimet e vendosura kërkojnë një nivel të lartë të kontributit të ekspertëve dhe një angazhim të rëndësishëm financiar.

“Pa diskutim, vlerësoj hartimin e këtij dokumenti të rëndësishëm, por gjithashtu më duhet të them se janë ambicione por duhet të jenë impenjative për t’u konkretizuar. Vënia në qendër të viktimës, nuk është një risi. Ka nisur herët, ka qenë hapi ose momenti i rëndësishëm hartimi i kodit të procedurës penale. Ishte gati një revolucion. Më kujtohet atëherë sesa reagim kishte thjeshtë për termin viktimë. Ishim mësuar me termin i dëmtuar, por fokusi që merrte viktima ishte gati revolucionare. Megjithatë, që nga ai moment, jo vetëm nga ai kod, por edhe përmes masave të tjera, fushata dhe akte nënligjore, jemi në një moment kyç. Më duhet të them se një pjesë e detyrimeve që rrjedhin nga strategjia bien mbi institucionet e drejtësisë, sidomos mbi Prokurorinë.

Kanë qenë një sërë masash të ndërmarra nga Prokuroria vitet e kaluara. Më duhet të përmend dy udhëzime, ai i vitit 2018 dhe ai i 2020. Këto synuan të standardizojnë praktikat tona si i qasemi viktimës, si garantohen të drejtat e tyre, por edhe synuan rritjen e efektivitet të hetimit të ndjekjes penale.

Të gjithë biem dakord që kuadri administrativ nuk mjafton për të mbrojtur të drejtat e viktimave. Vetëm një qasje shumëdimensionale e mundëson. Në këtë kuptim, qëllimi dhe objektivat e kësaj strategjie, do të kontribuojnë në vizionin tonë të përbashkët.

Është e rëndësishme që të theksoj disa nga masat që janë parashikuar dhe mund të them se janë disi sfiduese.

Do të veçoja një sërë sfida;

-Rishikimin e praktikave të ndjekura të formateve standarde të informimit me të drejtat apo aktet procedurale me qëllim shprehjen e një gjuhe të qartë e të kuptueshme.

-Vlerësimin e nevojave financiarë për shërbimet e nevojshme për viktimat

-Ambientet e përshtatshme

-Teknologjinë audio video

-Metodologjinë e sistemi statistikor sipas standardeve ndërkombëtare

-Krijimin e modeleve të reja të akteve të reja për të viktimave

Këto dhe pse duken të lehta për t’u arritur, nuk janë. Këto kërkojnë një nivel të lartë të kontributit të ekspertëve dhe një angazhim të rëndësishëm financiar. Janë sfiduese në kushtet kur dimë kufizimet që kemi nga ana infrastrukturore. Gjithashtu duhet të shtojmë kapacitete. Megjithatë kjo tashmë është një sfidë që ne e kemi përballur me sukses dhe është një proces i vazhdueshëm“, tha Çela.

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re