Pas humbjes në zgjedhjet e 25 prillit, Gent Strazimiri është rikthyer sërish në skenën politike për të marrë rolin e protagonistit.

Ish deputeti thotë se SHBA duhet t’i kërkojë falje Sali Berishës që e ka shpallur “non grata”.

Ndër të tjera ai shkruan:

“Sali Berisha, lideri historik i pjesës më pro-amerikane të kombit më pro-amerikan në glob, ndodhet “under fire” prej … Amerikës, mikes më të çmuar të shqiptarëve!

Teknikisht, Sali Berisha sot është “under friendly fire”, një shprehje që përdoret për të përkufizuar veprime të gabuara aksidentale, që logjikisht s’duhej të ndodhnin.

Teknikisht, Sali Berisha e udhëhoqi Partinë Demokratike në “rolin e pazëvendësueshëm për ta nxjerrë këtë vend nga komunizmi, për ta çliruar nga diktatura” …

Teknikisht, Sali Berisha e udhëhoqi Partinë Demokratike “në rolin shumë të rëndësishëm që ka luajtur në vendosjen dhe forcimin e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri” …

Teknikisht, Sali Berisha e udhëhoqi  Partinë Demokratike në “rolin e saj historik, të pazëvendësueshëm dhe të domosdoshëm” gjatë këtyre 30 viteve në liri.

Teknikisht, Sali Berisha është historia pro-amerikane e këtij kombi, dhe këtë as vetë Sali Berisha nuk e ndryshon dot më!

Teknikisht, Sali Berisha gjatë gjithë kësaj trajektoreje të pranuar edhe nga ambasadorja amerikane në Tiranë, armik të betuar, të dhunshëm deri në perversitet, ka patur hetuesin e KGB-së shqiptare, apo Vishinskin shqiptar, Ardian Dvorani, jo vetëm si simbol por edhe si individ.

Teknikisht, emrin e persekutorit anti-amerikan, të popullit më pro-amerikan në glob Ardian Dvorani, për arsye të panjohura dikush që ende s’bëhet i ditur arriti ta fusë deri në tryezën e Sekretarit të Shtetit, dhe ta “pro-amerikanizojë” atje me një mirënjohje (?!) kampioni (?!)…

Teknikisht, për arsye po aq të panjohura, dikush që ende s’bëhet i ditur, në të njëjtën tryeze vendosi si të padëshiruar për Amerikën emrin e Sali Berishës, anti-Dvoranin historik, pa anti-Dvoranizmin e të cilit sot do ishim ende “shkëmb graniti që ha bar” (?!)…

Teknikisht, e gjithë kjo histori, fundin e logjikshëm do e kishte që në vend të Sali Berishës në parlament, të ulej Ardian Dvorani…

Fakti që nuk ka qenë kandidat e as është votuar nga populli, pas 25 prillit është thjesht një “problem teknik”…

Si çdo “problem teknik”, edhe ky do të zgjidhet “teknikisht” duke “e mbajtur shënim”, dhe duke nxitur institucionet përgjegjëse që të adresohet në zgjidhjet e ardhëshme…

Kështu i jepeshka fund “tranzicionit politik në Shqipëri”, domethënë betejës anti-Dvoran për liri e demokraci amerikane, duke hapur një faqe të re”… me Dvoranin e vjetër…

E thjeshtë apo jo?

Vetëm se, duhet t’u kërkoni falje për 46 vjet sharje me zë të ulët, e 30 vjet betejë ballaz Ardian Dvoranit, Kadri Hazbiut, Mehmet Shehut, Enver Hoxhës, Nevzat Haznedarit, Muço Saliut etj, se i paskeni rënë në qafë kot!

E çuditëshme?

Çudia që sapo ju përkrova, i tejkalon përmasat e fatit të individit Sali Berisha dhe na përplas në fytyrë sfidën se sa e duam lirinë tonë, atë gjënë më të bekuar amerikane që e shihnim në filma dhe komentonim fshehurazi nga frika e Ardian Dvoranit!!!

Zanati i dytë më i vjetër i botë, teknikisht i bën të tilla çudira, por ato mbeten çudira pikërisht se dikush, në emër të së vërtetës dhe në respekt të historisë, u qëndron përballë, ndryshe s’do ishin më “çudia”, por “rregulli”…

Kështu ndodh në Amerikë, dhe jo vetëm në filma!

Ai “dikush” është gjithmonë një njeri që ka zgjedhur lirinë, si Sali Berisha në dhjetor 1990 e deri sot!”, shkrun Strazimiri. (TemA)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re